Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me punimet në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ai i ka cilësuar punimet një ndërhyrje brutale mbi godinën historike pa transparencë, në periudhë pandemie.
“Ndërhyrja brutale mbi godinën historike të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë’’, pa transparencë, në periudhë pandemie, është një tjetër atentat, në vijim të sulmeve barbare ndaj historisë, trashëgimisë kulturore dhe identitetit tonë kombëtar. Shkatërrimi kriminal i Teatrit Kombëtar, rrafshimi i qindra objekteve me status special e monument kulture, si dhe “zhdukja” e Sahatit pas kullave, janë dëshmi e babëzisë dhe të një gjenocidi kulturor ndaj identitetit të Kryeqytetit tonë, në shkelje të Kushtetutës, ligjit për konsultimit publik dhe të gjitha parimeve për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë historike e kulturore”, shkruan Meta.
Kreu i shtetit tha se pas 25 prillit në Shqipëri do të nisë epoka e referendumeve, për t’u dhënë të drejtën qytetarëve të vendosin vetë mbi të gjitha çështjet e rëndësishme me interes publik.