Në orët e para të mëngjesit në Fier janë sulmuar me gurë duke dëmtuar xhamat zyrat elektorale të PS dhe PDIU. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “1 Maji” të qytetit. Në një deklaratë për mediat, bashkëkryetari i shtabit elektoral të PS-së në lagjen 1 Maji, Aljosha Doko tha se veprimi i thyerjes së zyrave ishte i turpshëm, dhe drejtoi gishtin nga kundërshtarët, edhe pse nuk pranoi që të thoshte emra. Ai shtoi që i takon ligjit të hetojë dhe zbulojë autorët e këtij akti.
“Dëshmi e qartë e asaj që ofrojnë këto forca, ku qyteti i Fierit kërkon paqe dhe bashkëpunim. PS kërkon zhvillim, këto forca kërkojnë destabilizimin, ne nuk e vendosim se cilat janë ato, atë e vendos drejtësia. Kjo është një lojë e atyre që kërkojnë të shkëpusin vëmendjen, ne nuk na vjen fare mirë që shtabet elektorale të goditen”, shprehet ai.