Ngjarje e rëndë në Vlorë! Një grua ka mbajtur për disa ditë në banesë burrin e saj të vdekur. Valentina Prenga e cila dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor nuk kishte njoftuar për vdekjen e të shoqit Llazar Prenga 74-vjeç.
Kanë qenë banorët e lagjes të cilëve i ka rënë në sy mungesa e tij, pasi nuk e kanë parë për disa ditë me radhë jashtë banesës. Ata kanë njoftuar policinë e cila ka thyer derën dhe ka gjetur të pajetë bashkëshortin e Valentina Prengës, i cili dyshohet se ka disa ditë që ka ndërruar jetë.
Nuk dihen ende shkaqet e vdekjes së tij, ndërkohë tashmë policia e Vlorës po heton për të mësuar rrethanat e plota të ngjarjes. Uniformat blu bëjnë me dije se paraprakisht dyshohet se 74-vjeçari ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale pasi në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune.