Një grabitës shqiptar është arrestuar ditën e djeshme në një shtëpi në Montemarciano, Ancona. Bëhet fjalë për shtetasin me iniciale L.E., i dënuar nga Gjykata e Apelit të Milanos me 4 vite e 9 muaj burgim. Në dënimin e parë, atë e kanë cilësuar si pjesëmarrës të një bande kriminale, të cilët kanë kryer një seri vjedhjesh, në disa zona të Italisë.
Hetimet çuan në përfundimin se shqiptari i përkiste një organizate kriminale të përbërë nga 10 persona. Ky grup kriminal sipas policisë italiane ka grabitur një sërë biznesesh, shtëpish private dhe shtëpi të moshuarish.
Veç parave, grupi vidhte dhe ushqime, të cilat i vendosnin në një qilar në vendin ku strehoheshin. Shqiptari akuzohet se ka kryer vjedhje me dhunë, madje për të fshehur gjurmët, gjithmonë pas ndonjë grabitje, digjte makinat që përdorte.