Aktori dhe regjisori i njohur Dhimitër Orgocka ka humbur jetën. Mësohet se Orgocka ka ndërruar jetë, për shkak të hemoragjisë cerebrale. Ai ndodhej prej dy javësh i shtruar në spital, kurse u nda nga jeta sot, në moshën 84-vjeçare.
Dhimitër Orgocka ishte një aktor dhe një regjisor me karrierë të pasur në teatrin "A.Z. Çajupi" në Korçë. Ai ka vënë në skenë 104 premiera në teatrin e Korçës, Fierit, Elbasanit, Prishtinës, Shkupit etj. Si aktor ai numëron 82 role të interpretuara në skenat e teatrove shqiptare. Orgocka mbante titullin “Mjeshtër i madh”.