Punonjësit e Policisë kanë vijuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masës së re, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse në ambjentet e jashtme dhe të brendshme.
Prej orës 17:00 të datës 16.10.2020 deri në orën 17:00 të datës 17.10.2020, shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve, kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse dhe në orët e mbrëmjes. Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat dhe për këto raste, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin kanë vendosur 678 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila.
Disa qytetarë, kryesisht të rinj, për t’i shpëtuar masës administrative nuk kanë treguar dokumentin e identifikimit. Për këtë arsye janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 10 shtetas, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masën administrative 3000 lekë dhe janë lënë të lirë.