Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka folur në lidhje me çështjen e listave të hapura duke sqaruar se formula e propozuar prej tyre nuk është e “shpikur”, por është një model që zbatohet dhe nga shtete si Kroacia, Belgjika, Holanda, Çekia.
“Është koha ku çdo kandidat në subjekt do marrë vlerësim me votë nga qytetarët, koha kur ne bënim kode zgjedhore me shpikje alla-shqiptarçe, siç është historia e koalicioneve në 30 korrik, mund të ndërtoje koalicione si vargon mallrash, dhe votat transferoheshin nga një subjekt në tjetër ka mbaruar. Garantoj që propozimi ynë zbatohet në vende që ngjashmërisht kanë përafërsi me Shqipërinë si Kroacia, Çekia, Holanda, Belgjika”- shprehet deputeti.
Sekretari i përgjithshëm Balla u shpreh se listat e hapura 100% janë një fakt i pakthyeshëm dhe kjo është shkruar edhe në draftin e propozuar nga qeveria.
“Listat e Hapura tashmë janë fakt i pakthyeshëm mbrapsht. Kushtetuta ka përcaktuar qartë që më 25 prill qytetarët do të shprehin vlerësimin dhe të japin votën e tyre jo vetëm për partinë, por dhe një prej kandidatëve në një prej listës së subjekteve. PS ka propozuar një draft që është bërë publik nga Gjiknuri”-ka theksuar Balla.
Sipas Ballës, çështje është e hapur dhe se PD-LSI mund të kontribuojnë në Këshillin Politik me propozime.Më tej ai garantoi se diskutimet do të vijojnë por drafti i PS, sipas tij, është i vetmi që garanton barazinë gjinore dhe është parë nga të gjitha këndvështrimet. Duke u ndalur te propozimi i bërë nga deputetja e opozitës së re, Rudina Hajdari, Balla tha se propozimi i bërë nga socialistët është më i drejtë pasi reflekton të gjitha kërkesat e palëve.