Flash

Koha që Bosnja të marrë në dorë fatin e saj

Lapsi.al 19 June 2026

Nga Carl Bildt, Project Syndicate

 
Ndërhyrja e fundit, në dukje e korruptuar, e administratës Trump në Bosnjë-Hercegovinë mund të kishte qenë një mundësi për ta vendosur më në fund vendin në rrugën drejt pavarësisë së plotë, pas më shumë se 30 vitesh si një protektorat i komunitetit ndërkombëtar. Por, cikli vicioz i varësisë duket se do të vazhdojë.

 
Bosnjës i duhet një fillim i ri politik. Më shumë se tri dekada pasi Marrëveshja e Dejtonit i dha fund luftës shkatërrimtare të viteve 1992-95, ka ardhur koha që vendi të marrw përgjegjësi të plotë për të ardhmen e vet.

Si pjesë e marrëveshjes së vitit 1995, u krijua posti i Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar për Bosnjë-Hercegovinën, për të ndihmuar në koordinimin dhe zbatimin e të gjitha dispozitave civile dhe politike të marrëveshjes së paqes. Një forcë masive e NATO-s do të mbetej përgjegjëse për ndarjen e forcave ushtarake, por u ra dakord se nevojitej një zyrë e pavarur politike për ta ribashkuar vendin.

Kjo detyrë më takoi fillimisht mua, si i pari në një seri përfaqësuesish të lartë. Prioriteti im i menjëhershëm ishte ngritja e zyrës dhe vënia në funksionim e institucioneve të vendit, siç përcaktohej në kushtetutën e re të rënë dakord në Dejton. Dhe pikërisht këtë bëra. Por Përfaqësuesi i Lartë nuk ishte menduar kurrë të ishte një institucion i përhershëm me kompetenca për të ndërhyrë drejtpërdrejt në qeverisjen e vendit. Nëse ndonjë pjesëmarrës në bisedimet e Dejtonit do të kishte guxuar të propozonte një gjë të tillë, ideja do të ishte rrëzuar menjëherë. E di këtë, sepse isha aty.

Megjithatë, pas disa vitesh, vendet që mbikëqyrnin zbatimin e marrëveshjes së paqes vendosën t’i jepnin Përfaqësuesit të Lartë prerogativën për të ndërhyrë drejtpërdrejt në punët e Bosnjës, dhe këto të ashtuquajtura kompetenca të Bonit janë përdorur gjerësisht që atëherë. Ligjshmëria e tyre ka qenë gjithmonë e dyshimtë, në rastin më të mirë, por për sa kohë që rregullimi i ri dukej se funksiononte, të gjithë e pranuan. Ka pasur vërtet momente kritike kur Përfaqësuesi i Lartë ndërhyri për të zhbllokuar një ngërç politik dhe për t’i lejuar vendit të ecte përpara.

Me kalimin e kohës, megjithatë, kompetencat e Bonit e dëmtuan sistemin politik të vendit. Në vend që të uleshin, të punonin mbi çështjet e vështira dhe të arrinin kompromiset e ndërlikuara që kërkon qeverisja e një vendi kaq të larmishëm, udhëheqësit boshnjakë nisën gjithnjë e më shumë të kërkonin ndërhyrjen e Përfaqësuesit të Lartë. Shumë politikanë iu shmangën përgjegjësisë së tyre dhe e përqendruan energjinë te nxitja e ndjenjave përçarëse nacionaliste.

Këto dinamika krijuan më pas një rreth vicioz, ku ndërhyrja e jashtme e pengonte sistemin të zhvillonte aftësinë për të funksionuar vetë, gjë që nga ana tjetër krijonte kërkesë për ndërhyrje të re. Që prej vitit 2008, të paktën, është pranuar gjerësisht se kjo nuk mund të vazhdojë. E megjithatë ka vazhduar, sepse inercia ishte më e lehtë për të gjithë të përfshirët dhe sepse çdo ndryshim rrënjësor nuk dukej se ia vlente rreziqet që sillte me vete.

Pastaj erdhi vendimi i Shteteve të Bashkuara, muajin e kaluar, për të rrëzuar nga detyra Përfaqësuesin e Lartë aktual. Arsyet e kësaj lëvizjeje të papritur mbeten të paqarta, por motivi duket se lidhet me klientelizmin: një kompani e panjohur, që po përpiqet të marrë kontrollin e tubacioneve të ardhshme të gazit dhe furnizimeve me gaz në rajon, rastësisht ka lidhje personale me qarqe të afërta me Presidentin Donald Trump. Sigurisht, autoritetet amerikane pretendojnë se largimi i Përfaqësuesit të Lartë është në përputhje me kundërshtimin e administratës ndaj “nation-building”, ndërtimit të shteteve. Kjo mund të jetë pjesërisht e vërtetë. Megjithatë, Trump nuk e ka fshehur se në “politikën” e tij të jashtme vendos të parat mundësitë tregtare dhe fitimprurëse.

Sidoqoftë, ky do të kishte qenë një rast i mirë që Bosnja të përqafonte një të ardhme pa Përfaqësues të Lartë. Për më tepër, administrata Trump mund ta kishte përdorur ndërhyrjen e saj për të shtyrë përpara amendamentet kushtetuese që kanë vite mbi tryezë. Mund të kishte pasur një udhërrëfyes hapash dhe reformash, të hartuar për të balancuar interesat konkurruese dhe për të zbutur frikërat e grupeve të ndryshme për hedhjen e hapit drejt pavarësisë së vërtetë. Nuk do të kishte qenë e lehtë, por do të kishte qenë e mundur nëse të gjithë do ta kishin shfrytëzuar plotësisht momentin.

Nuk qe e thënë të ndodhte. Për shkak se Bosnja nuk është më ndër çështjet kryesore në agjendën globale, vendet e përfshira nuk ndien asnjë shtysë për ta kapur mundësinë që kishin përpara. Edhe një herë, ato zgjodhën rrugën e lehtë të emërimit të një tjetër Përfaqësuesi të Lartë. Por deri më tani nuk kanë arritur as ta bëjnë këtë. Nën Trumpin, agjenda amerikane është gjithnjë e më shumë jashtë sinkronit me prioritetet e Europës, dhe secila palë po bllokon kandidatët e tjetrës. Rezultati — tepër i njohur në ditët e sotme — është një spektakël politik pa dinjitet, pa strategji dhe pa mendim serioz paraprak. Në vend që më në fund të adresojë problemet e vendit, ky rezultat me siguri do t’i zgjasë ato.

Megjithatë, fakti mbetet se Bosnjë-Hercegovina — së bashku me fqinjët e saj — i përket Bashkimit Europian. Thjesht nuk ka asnjë rrugë tjetër për të garantuar paqen dhe për të sjellë më shumë mirëqenie për të gjithë rajonin. Më shumë se 70% e banorëve të vendit janë të qartë për këtë objektiv. Por anëtarësimi në BE kërkon që një vend të qëndrojë në këmbët e veta dhe të mos mbështetet gjithmonë te ndonjë deus ex machina i jashtëm.

Sa më shpejt ta pranojnë të gjithë këtë, aq më mirë. Lojërat e pista për zgjedhjen e një Përfaqësuesi të ri të Lartë rrezikojnë ta vonojnë edhe më tej rezultatin që duhet ta dëshirojë kushdo që vepron me mirëbesim.

Të këshilluara

ide

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI