Mbyllja e aferës së “DH Albania”, nga prokuroria e Tiranës pa ndëshkimin e asnjë zyrtari, pa investiguar për akuzat për korrupsion, për shpërdorim detyre dhe pastrim parash, sipas opozitës flet për implikimin e kryeministrit Rama dhe ish-ministrit Damian Gjiknuri në aferën më të madhe korruptive që preku këtë qeveri.
"Asnjë zyrtar shtetëror nuk është akuzuar. Asnjë. Zero. Prokuroria ka nxjerrë përfundimin se gjithçka ka qenë vepër e një 26 vjeçari, që ka vepruar i vetëm, pa asnjë bashkëpunëtor. Prokuroria pretendon se 26 vjeçari ka mashtruar; Ministrinë e Transportit dhe Energjetikës, Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, dhe OST-ne, duke fituar dy tendera prej 28 milionë euro. Sipas prokurorisë, ky 26 vjeçar ka negociuar për javë të tëra dy kontrata të sofistikuara teknike, me dhjetëra specialistë, drejtues dhe funksionarë të shtetit, dhe ata nuk kanë kuptuar asgjë. Ky është nje nga përfundimet më qesharake dhe më skandaloze, në historinë e Prokurorisë Shqiptare" tha sot përmes një deklarate ishe deputeti, Agron Shehaj, që e denoncoi i pari këtë mega aferë.
Sipas opozitës "DH Albania" ishte mekanizmi i Ramës dhe Gjiknurit për të vjedhur dhe për t’i pastruar ne SHBA dhjetëra milionë euro nga taksat e shqiptarëve dhe fakti që prokuroria arriti në një përfundim karagjoz dëshmon se Edi Rama e ka kapur drejtësinë.
©Lapsi.al