Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), sipas të cilit në zgjedhjet vendore të 30 qershorit morën pjesë 22.9% e shtetasve me të drejtë vote.
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso, ka deklaruar se KQZ zhduku transparencën e procesit duke mos lënë gjurmë në sistemin e të dhënave si dhe vazhdon të fshehë rezultatin për çdo kuti. “KQZ mashtroi dhe akoma nuk ka dhënë llogari për dyfishimin e shifrës. KQZ zhduku transparencën, nuk hodhi në sistemin online të dhënat, nuk publikoi asnjë tabelë me rezultate. Edhe tani Komisioni Qendror i Vjedhjeve nuk ka publikuar asnjë të dhënë.”- tha Kaso.
Sipas PD, KQZ rriti me 8% pjesëmarrjen në votimet e 30 qershorit “për të fshehur refuzimin e shqiptarëve ndaj Edi Ramës”. Kaso është shprehur se pjesëmarrja reale në zgjedhje ishte 15%, duke shtuar se mbushja e kutive nuk e ndihmon dot Edi Ramën. “Të dhënat e sotme janë mashtrim. Kanë mbushur kutitë e votimit duke shtuar rreth 200 mijë vota në gjithë vendin. Pjesëmarrja reale është 15%, mbushja e kutive për t’i dhënë Ramës oksigjen nuk e ndryshon dot faktin se qendrat e votimit ishin thuajse bosh.”