Ka dështuar për të dytën herë seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Shkak për këtë ngërç procedurial është bërë prokurora jo e rregullt për Gjergj Kohilën, ish-shefin e sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë për Qarkun e Vlorës, që ndodhet në arrati.
"Shqipëria po ecën përpara, vetëm gjyqi im ka ngecur", është shprehur Tahiri në fund të seancës. Ndërkaq, Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur që seanca e radhës ndaj Tahirit të zhvillohet më datë 17 korrik.
Seanca e parë gjyqësore ndaj ish-ministrit u shty për shkak të mungesës së ish tre zyrtarëve të policisë së Vlorës: Jaeld Çelës, Sokol Bodes dhe Gjergji Kohilës.
Gjykata urdhëroi rinjoftimin e tre personave të lartpërmendur, pasi nuk kanë marrë dijeni për nisjen e procesit. Ndërkohë, Jaeld Çela ka lëshuar në datën 17 qershor një prokurë ku shpreh dakordësinë që të përfaqësohej në mungesë nga avokati i tij.
Ish-ministri Tahiri nuk ka munguar në asnjë seancë gjyqësore dhe ka bërë kërkesë për gjykim të shkurtuar, që pritet të shqyrtohet nga gjykata në seancën e 17 korrikut.