Pak orë nga nisja e protestës së tetë të opozitës së bashkuar joparlamentare, përfaqësitë diplomatike në Tiranë u kanë bërë thirrje “njëzëri” palëve që të ulen urgjentisht në dialog, për të tejkaluar krizën politike ku gjendet vendi. Deklarata e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, u pasua nga qëndrimi i ambasadores gjermane, Susanne Schutz dhe nga deklarata e ambasadës britanike, ku theksohet në mënyrë të njëjtë rëndësia e zhvilllimit të një proteste paqësore, duke dënuar çdo formë të nxitjes së dhunës.
“Ne dënojmë të gjitha aktet e dhunshme që kanë ndodhur në protestat e mëparshme të opozitës. Asnjë formë e nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme. Përdorimi i eksplozivëve ose i ndonjë sendi tjetër të projektuar për të shkaktuar lëndime është krejtësisht i papranueshëm. Ne vazhdojmë ti bëjmë thirrje të gjitha palëve të ulen urgjentisht në dialog për të tejkaluar krizën politike që ka kapluar vendin”, shkruhet në deklaratën e ambasadës britanike.
