Publikimi i përgjimeve pjesë e dosjes hetimore për grupin e vëllezërve Avdylaj, të dyshuar për aktivitet në fushën e drogës, e të botuara në gazetën gjermane “Bild”, kanë rikthyer dhe një herë në vëmendje lidhjen e zyrtarëve socialistë në Durrës me elementë të krimit dhe ndikimin e këtyre të fundit në fushatën zgjedhore të vitit 2017.
Përgjimet vënë në dukje lidhjet direkte që Astrit Avdylaj, kreu i grupit, mbante me kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, por dhe me kandidatin aktual të Partisë Socialiste për Bashkinë e Shijakut Elton Arbana, si dhe angazhimin e Avdylajt për të siguruar vota për Partinë Socialiste dhe një prej kandidatëve të saj, deputetin aktual Ilir Ndraxhi.
Lidhjen me Vangjush Dakon, Astrit Avdylaj, e pohoi me zë një vit më parë. Me 13 nëntor 2018, në seancën në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda që zhvillohej ndaj tij dhe 27 personave të tjerë të arrestuar në kuadër të operacionit "Volvo 4", Astrit Avdylaj do të deklaronte para trupës gjykuese shprehimisht: “E kam mik Vangjush Dakon, kam folur me të se kam besuar tek programi i tij ndaj aty qaj hallin”, - citon Oran News.