Kryeministri i vendit Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta kanë reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë të hënë në Letoni, ku humbi jetën nëntetarja shqiptare në Letoni, Zarife Hasanaj dhe u plagosën dy efektivë të tjerë të Forcave të Armatosura, Klodian Tanushi e Julain Kapaj.
(FOTO) Kush ishte ushtarja shqiptare që humbi jetën sot në Letoni
Teksa i shpreh ngushëllime familjes dhe të afërmëve së nëntetares, Rama shkruan se kujtimi i saj do të jetë i përjetshëm.
“Dhimbje e respekt i thellë për efektivin e Forcave tē Armatosura, Zafire Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë një misioni të NATO-s në Letoni, ku u plagosën dhe dy efektivë të tjerë!
Ngushëllime familjes, të afërmve e miqve të Zafires dhe qoftë i përjetshëm kujtimi i saj?” - shkruan Rama.
Ndërsa Meta shpreh ngushëllimet e tij për familjarët e 29-vjecares Hasanaj si edhe pjesëtarëve të kontingjentit të FA në Letoni.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta me hidhërim të thellë është informuar për ngjarjen tragjike të ndodhur me kontigjentin e Forcave të Armatosura, në kuadër të asgjesimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive në Letoni, ku ka humbur jetën në krye të detyrës Nëntetare Zarife Hasanaj si dhe kanë mbetur të plagosur Komandanti i Kontingjentit, Major Klodian Tanushi, si dhe dhe Rreshteri Julian Kapaj.
Presidenti Meta i shpreh ngushëllimet më të thella familjes se Nëntetares Zarife Hasanaj, si dhe pjesëtarëve të kontingjentit të FA në Letoni.
Presidenti Meta po ndjek me shqetësim gjendjen e efektivëve të plagosur dhe u shpreh urimet për shërim sa më të shpejtë Major Klodian Tanushi dhe Rreshterit Julian Kapaj.” - thuhet në njoftimin e presidencës. ©Lapsi.al