Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Bahri Musabelliu, është paraqitur sot në Prokurori për të dëshmuar mbi akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe të pastrimit të parave, që mendohet se është realizuar përmes lëvrimit të një fondi.
Institucioni i akuzës ka nisur hetimin ndaj Musabelliut pas dyshimeve se ka përfituar para nga fondet publike përmes praktikave korruptive të ndjekura në disa tenderime.
Akuzat për shpërdorim detyre dhe pastrim parash bazohen në rastin e rikonstruksionit të murit rrethues dhe të një porte të godinës së universitetit, për të cilat ishte lëvruar një fond prej 640 mijë dollarësh. Musabelli dyshohet se ka përvetësuar një pjesë të këtij fondi me ndihmën e personave të tretë.