Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte pasditen e së dielës në krah të banorëve të Unazës së re të cilët protestojnë prej gati 4 muajsh. Basha tha se Rama i ka ditët e numëruara në pushtet.
“Këta banorë e kanë marrë vendimin për të mos ia dhuruar të ardhmen e tyre Edi Ramës. Këtu te Unaza, vendimet i mori mafia e ulur kokë me kokë me Edi Ramën që vendoi që në një segment rruge të shpallej një tender. Që ky tender të ndahej në 3 pjesë që të mos dilte në tender ndërkombëtar.
Këtu vendimet i mori Edi Rama, Afrim Qendro, Damian Gjinkuri dhe mafiozët e ulur me të. Vendimin final nuk e morri dot duke sjellë FNSH-në dhe duke arrestuar dhe shoqëruar fëmijë dhe gra shtatzëna. Lleshaj, kjo vegel e krimit të organizuar dhe Edi Ramës nuk i theu dot qytetarët me analistët e blerë me ekranet e blera që i mbronin atë që u thoshte shqiptarëve kadrinj, shpellarë...
Koha e hajdutëve ka marrë fund. Banda e tij dhe e hajdutëve i ka ditët e numëruara.
Rama nuk merr dot asnjë vendim për shqiptarët. Je i paligjshëm dhe ilegjitim. Sot kam një mesazh, ka ardhur koha që vendimet ti merrni ju. Ju duhet të vendosni. Ju duhet të vendosni siç kemi vendosur të nisim së bashku një rrugëtim që na çon drejt vlerave evropiane.
Djegia e mandateve është vendimi më i ligjshëm, më patriotik që është marrë ndonjëherë. Ne dolëm në krah të popullit dhe njerëzve të thjeshtë. Jashtë nga parlamenti krimit dhe i hajdutëve. Ne kemi marrë një hap historik për ti dhënë fund një regjimi të kalbur deri në rrënjë. Nuk shkohet në Europë me një kryeministër hajdut” – tha Basha që i ftoi banorët e unazës të marrin pjesë pasivisht në protestën e 16 marsit në qendër të Tiranës që sipas tij do t’i hapë rrugë një qeverie transitore drejt zgjedhjeve demokratike.
"Ju bëj thirrje socialistëve të ndershëm të bashkohen për hir të vlerave që përfaqësojnë. Të bëhemi bashkë në 16 mars kundër krimit dhe oligarkisë” – tha Basha. ©LAPSI.al
https://www.youtube.com/watch?v=wgUB0gg0lGg&feature=youtu.be