
Ish-Presidenti i Shqipërisë gjatë Luftës së Kosovës, Rexhep Meidani, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat dënuan me gjithsej 81 vite burgim katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në një reagim të gjatë, Meidani është shprehur kritik ndaj mënyrës se si është zhvilluar procesi gjyqësor në Hagë, duke ngritur pyetjen se në emër të kujt flet një gjykatë që, sipas tij, nuk përfaqësohet nga gjyqtarë të Kosovës dhe nuk e zhvillon procesin në territorin e saj.
“Aktgjykimi i sotëm në Hagë mban emrin e popullit të Kosovës, por asnjë gjyqtar i atij trupi gjykues nuk i përket Kosovës e nuk e kupton atë, dhe seanca nuk u mbajt as në tokën e saj”, shprehet ish-Presidenti. “Drejtësia e munguar duhet të jepet! Por, ama, duhet ta përfaqësojë vullnetin e popullit të Kosovës, jo ta zhgënjejë atë”, shton ai.
Meidani shprehet gjithashtu se, sipas tij, asnjë vendim gjyqësor nuk mund t’ua heqë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit rolin që ai u atribuon në historinë e Kosovës.
“Personalisht mendoj se asnjë vendim gjyqësor nuk mund t’ua heqë vendin që zënë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi në një nga kapitujt më të ndritur të historisë sonë kombëtare”, deklaron Meidani.
Ai thotë se i ka njohur katër ish-krerët e UÇK-së gjatë periudhës së luftës, duke i përshkruar si “luftëtarë e udhëheqës trima” dhe shprehet se nuk i konsideron njerëz të aftë për veprimtari kriminale, siç përshkruhen në vendimin e gjykatës.
Në reagimin e tij, Meidani shpreh solidaritet me katër të dënuarit dhe familjet e tyre, të cilët prej vitesh janë përballur me procesin gjyqësor në Hagë. Ai kërkon që dënimet të kundërshtohen përmes të gjitha mjeteve ligjore në dispozicion.
“Prandaj besoj se këto dënime duhet të kundërshtohen deri në shkallën e fundit, me çdo mjet ligjor në dispozicion. Madje, Kuvendi i Kosovës ka detyrimin të vendosë që kjo gjykatë, në formën e sotme, nuk meriton të vazhdojë të flasë në emër të një populli që s’e njeh si të vetin”, përfundon Meidani.
Deklarata e plotë e Rexhep Meidanit:
Kam qenë President i Republikës në vitet e vështira kur Shqipëria dhe populli i saj, hapën kufijtë dhe zemrën për vëllezërit e tyre shqiptarë të Kosovës që po dëboheshin nga shtëpitë dhe trojet e tyre nga milicët dhe paraushtarakët e regjimit represiv të Millosheviçit. E kam ndjerë këtë represion qysh prej viteve si pedagog i Universitetit të Prishtinës, sidomos në vitin 1981 e më pas kur jo vetëm nuk u lejuam për të vazhduar leksionet tona, por dhe na u bënë tepër të vështira kontaktet dhe komunikimet me studentët tanë. Si politikan dhe si Kryetar Shteti përjetova dhe shkallën më të lartë të egërsisë dhe represionit millosheviçian ndaj popullit shqiptar të Kosovës, që kapi nivele të skajshme gjenocidale.
Aktgjykimi i sotëm në Hagë mban emrin e popullit të Kosovës, por asnjë gjyqtar i atij trupi gjykues nuk i përket Kosovës e nuk e kupton atë, dhe seanca nuk u mbajt as në tokën e saj. Kjo është pyetja që më mundon më shumë se vetë numri i tejzgjatur, pa arsye, i viteve. Në fakt, në ç’ emër flet një gjykatë e tillë, kur populli që ajo pretendon ta përfaqësojë s’ka zë e peshë brenda saj, por proteston jashtë saj apo sheshet e Kosovës? Aktgjykimi është i shkallës së parë; procesi vazhdon. Drejtësia e munguar duhet të jepet! Por, ama, duhet ta përfaqësojë vullnetin e popullit të Kosovës, jo ta zhgënjejë atë.
Ajo që nuk vazhdon të diskutohet është konteksti historik: Kosova dhe populli i saj ishin viktimë e dhunës së shtetit serb, jo palë e barabartë me agresorin. Përgjegjësia individuale, nëse do të kishte, assesi nuk mund ta relativizojë atë fakt, as të vërë në pikëpyetje lirinë dhe pavarësinë që Kosova i fitoi me çmim të jetëve njerëzore, veçanërisht të rinjve të saj. Këtë e kanë pranuar këto ditë, ashtu si dhe gjatë krizës kosovare, edhe mjaft zëra perëndimorë dhe kishin e kanë të drejtë.
Personalisht mendoj se asnjë vendim gjyqësor nuk mund t’ua heqë vendin që zënë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi në një nga kapitujt më të ndritur të historisë sonë kombëtare. Në atë kohë, kur liria e Kosovës dhe paqja e rajonit ishin ende një ideal pa siguri, ata guxuan të merrnin mbi supe barrën historike për ta sjellë lirinë te populli i tyre, në një moment kur çdo gjë rrezikohej e asnjë sukses nuk ishte i garantuar. Unë e pashë atë rrezik nga afër, në kohën time si President, në pamjet e trishtueshme të dëbimeve me forcë dhe vrasjeve masive. Po ashtu, i kam njohur ata si djem, si luftëtar e udhëheqës trima, me emocionin rinor dhe gatishmërinë për sakrificë, dhe aspak si njerëz të aftë për veprimtari kriminale, që u përshkruhen sot.
Sot mendoj për këta katër burra dhe për familjet e tyre, që prej gati gjashtë vjetësh mbajnë peshën e këtij procesi, teksa vazhdojnë ende luftën dhe sakrificën e tyre për të garantuar një Kosovë të lirë. Jam pranë tyre, siç kam qenë e do të jem gjithmonë.
Shqipëria e zgjodhi rrugën perëndimore që në vitet e para të demokracisë, dhe unë e kam mbështetur atë zgjedhje si qytetar e President. Por besnikëria ndaj asaj rruge nuk kërkon heshtje kur diçka na duket e padrejtë. Kërkon që t’u kërkojmë aleatëve tanë Perëndimorë që t’u përmbahen, në çdo rast dhe për çdo popull, sado i vogël qoftë ai, parimeve mbi të cilat është ngritur demokracia, mbi të gjitha: liria, barazia dhe drejtësia për të gjithë, pa përjashtim.
Prandaj besoj se këto dënime duhet të kundërshtohen deri në shkallën e fundit, me çdo mjet ligjor në dispozicion. Madje, Kuvendi i Kosovës ka detyrimin të vendosë që kjo gjykatë, në formën e sotme, nuk meriton të vazhdojë të flasë në emër të një populli që s’e njeh si të vetin.