
Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me Diasporën shqiptare në Detroit të Shteteve të Bashkuara, foli edhe për vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rama tha se nuk mund ta shmangte këtë çështje gjatë adresimit të tij para komunitetit shqiptar, duke e cilësuar situatën si një “mort për së gjalli” dhe si një moment pafuqie kombëtare.
Më tej, kryeministri ngriti shqetësimin e tij për atë që e cilësoi si “varrosje për së gjalli” të katër ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se vendimi, sipas tij, nuk gjen mbështetje te populli.
"Demokracia është një mosmarrëveshje që e përjashton urrejtjen, përballje që nënkupton respektin dhe luftë ku qëllimi nuk justifikon çdo mjet. Kjo është një rrugë më e gjatë, sepse nuk mjafton vetëm të jesh i lirë për të pasur një shoqëri ku demokracia funksionon për të gjithë.
Si rrallë herë jam përpëlitur sa këtë herë duke rreshtuar fjalët e një fjalimi, sepse as kisha si e shmangia atë që ndodhi në Hagë, por edhe nuk gjeja rrugën se si të qasesha atij guri të madh e të rëndë, përballë të cilit fjalët duken të gjithë njësoj si në një mort. Një mort për së gjalli, një varrosje njerëzish të gjallë dhe një pafuqi kombëtare përballë një marreje ndërkombëtare.
Ka një fjalë që na e përsërisin shpesh: respektoni vendimin e gjykatës. Ato duhen respektuar, shteti i së drejtës, bota demokratike funksionon me respekt mbi vendimet. Nuk diskutojmë këtë, por jo vendimin e gjykatës, po edhe vetë vdekjen në heshtje e pranon vetëm ai që vdes.
Problemi nuk është mos ta respektosh këtë vendim, por si ta refuzosh varrosjen për së gjalli të 4 njerëzve në emër të popullit, ku vetë populli nuk e gjen asgjëkundi veten në atë vendim, jo vetëm në gjuhë të huaj, por të huajësuar nga drejtësia.
Shqipëria nuk mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, por sidoqoftë do të refuzonte varrosjen për së gjalli të atyre 4 burrave. Dhe unë besoj se respektimi i detyruar dhe i padiskutueshëm i atij vendimi nuk e pengon kurrsesi refuzimin e asaj varrosjeje si fatalitet pa apel", tha Rama.