
Një aksident tragjik ndodhi të dielën në Florida të SHBA-së, ku nëntë persona humbën jetën pasi një avion privat i tipit Learjet 60 u rrëzua në një zonë të banuar në qytetin Greenacres. Momentet dramatike që paraprinë aksidentin janë zbardhur përmes komunikimeve mes ekuipazhit të avionit dhe kontrollit të trafikut ajror.
Regjistrimet audio tregojnë përpjekjet e dëshpëruara të pilotëve për të mbajtur kontrollin e avionit, i cili po humbiste lartësinë me shpejtësi alarmante. Avioni, që ishte nisur nga Teksasi drejt Bahamas, po fluturonte në një lartësi prej 35 mijë këmbësh, rreth 10.670 metrash, kur ekuipazhi raportoi turbulenca, reshje dhe formim akulli.
Për këtë arsye, pilotët kërkuan leje për tu ngjitur edhe 2 mijë këmbë më lart. Fillimisht, një prej pjesëtareve të ekuipazhit i përshkroi kushtet si të përballueshme, duke raportuar "turbulencë të moderuar" dhe "akull të lehtë", por situata u përkeqësua brenda pak sekondash.