
Një 27-vjeçar dhe vajza e tij, foshnjë 3-muajshe u gjetën pa shenja jete të shtunën në mëngjes në fshatin Demiraj të Gjilanit.
Trupat e pajetë u gjetën rreth orës 08:47, ndërsa Policia e Kosovës ka arrestuar një 65-vjeçar, babanë e viktimës 27-vjeçar.
Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë konfirmuar dyshimet dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Siç njofton televizioni publik (RTK), nga raportimet jozyrtare është përmendur mundësia që 27-vjeçari ta ketë vrarë fillimisht vajzën e tij dhe më pas të jetë vrarë nga babai i tij, por ky version nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.
Sipas të njëjtave burime, nëna e foshnjës nuk jeton në të njëjtën shtëpi me 27-vjeçarin. Foshnja jetonte me babanë dhe gjyshërit e saj. Deri më tani nuk ka deklarata publike nga familjarët.
Trupat e viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsinë, ndërsa autoritetet po hetojnë rastin.
Gjilani është përballur së fundmi me disa ngjarje të rënda pasi kanë humbur jetën 5 persona në rrethana tragjike.
Më 9 tetor, në fshatin Livoç i Poshtëm, u vranë një grua 27-vjeçare dhe vëllai i saj 31-vjeçar. Në të njëjtin rast u plagos rëndë edhe një familjar 48-vjeçar. /Telegrafi