
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur këtë të shtunë nga studentë dhe qytetarë, të cilët kanë marshuarr përpara Kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës.
Dy autobotë hodhën sasi të mëdha uji në drejtim të turmës, ndërsa gazi lotsjellës u përhap përgjatë bulevardit. Një pjesë e protestuesve u zhvendosën drejt Parkut Rinia, ndërsa të tjerë qëndruan përpara Kryeministrisë duke vijuar thirrjet “Dorëheqje”.
Tensionet u rritën pasi disa protestues hodhën gurë, flakadanë dhe kapsolla në drejtim të efektivëve. Policia u përgjigj me ujë me presion, gaz lotsjellës dhe spraj me piper.
Gaz lotsjellës është raportuar edhe pranë Ministrisë së Brendshme, në një moment kur në atë zonë nuk kishte përplasje të drejtpërdrejta. Disa protestues janë prekur nga spraji me piper, ndërsa pati edhe debate verbale dhe përplasje me policinë gjatë tentativave për shoqërime. Protestuesit vijojnë të qëndrojnë në zonën e bulevardit, ndërsa kërkesa kryesore mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama.