
Stephen Baldwin ka rrëfyer se vendosi të largohej nga Hollywood-i në fillim të viteve 2000, pikërisht në një periudhë kur karriera e tij ishte në ngritje, pasi përqafoi besimin e krishterë si një i krishterë i rilindur (born-again Christian).
Në një intervistë për People, 60-vjeçari kujtoi se pas suksesit të filmit fitues të Oscar-it "The Usual Suspects" (1995), gjithçka tregonte se ai ishte në rrugën për t'u bërë një nga yjet më të mëdhenj të Hollywood-it.
"Po shkoja në drejtimin për t'u bërë një yll i madh. Por ky nuk isha unë. Nuk doja të isha Tom Cruise dhe të kisha detyrimin të sillja 100 milionë dollarë në arkë. Më mirë të jem një djalë i zakonshëm nga Massapequa, në Nju Jork," u shpreh Baldwin.
Sipas aktorit, jeta e tij mori një kthesë të madhe pasi ai dhe bashkëshortja e tij, Kennya Baldwin, dëgjuan një profeci nga pastruesja e shtëpisë së tyre, e cila u tha se një ditë do të bëheshin të krishterë të rilindur dhe do të kishin shërbesën e tyre fetare.
Fillimisht skeptik, Baldwin tregon se gjithçka ndryshoi kur, në fillim të viteve 2000, mori pjesë në disa aktivitete kishtare në Florida së bashku me motrën e tij, Beth Baldwin, e cila prej kohësh kishte përqafuar besimin.
Ai kujton veçanërisht një aktivitet ku ishte ndërtuar një pistë skateboard-i mbi rërë dhe të rinj me tatuazhe e piercing demonstronin aftësitë e tyre, ndërsa mes performancave predikonin mesazhe ungjillore para mijëra të rinjve.
"Ishte diçka që nuk e kisha parë kurrë më parë. Pikërisht aty ndjeva një thirrje," tha ai.
Kjo përvojë e frymëzoi të krijonte projektin "Livin It", një video me skateboard, muzikë punk të krishterë dhe mesazhe fetare. Projekti pati sukses të menjëhershëm, duke shpërndarë rreth 10 mijë kopje brenda gjashtë muajve.
Më pas, një kishë e madhe e kontaktoi për të organizuar një aktivitet live me ekipin e skateboard-it.
"Atëherë vendosa të largohem nga Hollywood-i," kujtoi Baldwin.
Ai tregoi se për katër vite udhëtoi në rreth 125 kisha në të gjithë SHBA-në, duke u përfshirë plotësisht në aktivitetet fetare.
Që prej asaj kohe, Stephen Baldwin është angazhuar në prodhimin dhe interpretimin e filmave me tematikë të krishterë. Ai tha se lutja e tij ka qenë gjithmonë që Zoti t'i japë mundësinë të tregojë histori frymëzuese, njësoj si regjisori John Hughes tregonte histori për të rinjtë.
Aktori është gjithashtu moderator i podcast-it "One Bad Movie", ku fton kolegë të industrisë për të diskutuar filmat më pak të suksesshëm në karrierën e tyre.
Duke reflektuar mbi jetën e tij, Baldwin u shpreh se nuk ka asnjë pendesë për zgjedhjet që ka bërë.
"Kam fituar më shumë para sesa e kisha imagjinuar ndonjëherë dhe jam i martuar me gruan më të bukur që kam parë në jetën time. Jezusi është shkëmbi im, ndërsa bashkëshortja ime është spiranca ime. Kam pasur një jetë të jashtëzakonshme dhe jam vetëm 60 vjeç. Ndihem jashtëzakonisht i bekuar dhe pres me padurim dyert e tjera që Zoti do të më hapë," përfundoi ai.
Stephen dhe Kennya Baldwin janë të martuar që nga viti 1990 dhe janë prindër të dy vajzave, Alaia Baldwin dhe modeles Hailey Bieber.