
Pas muajsh protestash që kërkojnë largimin e tij, Edi Rama ka shpikur një tjetër platformë dixhitale, “Pasqyrë Albania”. Pas “Pranisë Besnike”, kryeministri rikthehet me premtimin për të afruar shtetin me qytetarët, ndërsa kërkesës për dorëheqje i përgjigjet me një prezantim teknologjik.
Këtë herë, përkrah tij ishin ekspertët e AKSHI-t, institucionit të shkundur nga hetimi i SPAK-ut për tenderët. Në këtë dosje, ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj, Ergys Agasi dhe persona të tjerë akuzohen për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal.
Sipas prezantimit, “Pasqyrë Albania” do të përmbledhë faqet e institucioneve dhe e-Albania-n, ndërsa do të përdoret nga kompjuteri dhe telefoni.
“Dhe mjafton një klik për të shkuar tek dritarja apo për të trokitur tek dera që ke interes”, tha Rama.
Por komunikimi i drejtpërdrejtë me institucionet mbetet ende një funksion i premtuar.
“Në ditët vijim do kemi mundësinë që të krijojmë një dritare në komunikim të drejtpërdrejtë të qytetarit me çdo institucion”, shpjegoi eksperti i AKSHI-t.
Rama premtoi edhe zëvendësimin gradual të ndërveprimit njerëzor me inteligjencën artificiale, pa dhënë një afat konkret:
“E në ndërkohë, kjo do trajnojë agjentët e inteligjencës artificiale, të cilët pastaj do t’i bëjnë këto ndërveprime pa pasur nevojë fare për njeriun mbrapa”.
Në fund, kryeministri e lidhi nismën me protestat, duke e cilësuar “një ndër rezultatet e reflektimit mbi protestën e flamingove”. Por shtoi:
“Pjesa tjetër pastaj është një histori tjetër që nuk e përziej me Pasqyrën se pastaj na bëhet pis Pasqyra.”
Pikërisht kjo “pjesa tjetër” mbetet pa përgjigje, kërkesa për llogaridhënie dhe largimin e tij. /Lapsi.al