
Jennifer Lawrence më në fund i është bashkuar Instagramit, por duket se aktorja e njohur nuk ka ndërmend të tolerojë komentet negative.
Aktorja e “The Hunger Games”, 36 vjeç, bëri debutimin e saj në platformë dhe në postimin e parë paralajmëroi ndjekësit se mund të largohet menjëherë nëse përballet me komente të këqija.
“Po, po i jap një shans”, tha Lawrence në videon e saj të parë. “Dhe nëse dikush thotë diçka negative, do të largohem menjëherë. Pa asnjë pyetje. Nëse dikush mendon diçka të keqe, unë do ta kuptoj. Do ta kuptoj dhe do të largohem.”
Por Lawrence nuk u ndal me kaq.
Në një tjetër postim në “Instagram Stories”, ajo paralajmëroi ndjekësit se “çdo koment i keq apo agresiv” mund të ndikonte negativisht te “bebja”.
Më pas, aktorja e sqaroi me humor se me “bebja” e kishte fjalën për… veten.
“Jam unë. Unë jam bebja”, shkroi ajo me shaka.
Debutimi i saj në Instagram erdhi me një tjetër detaj interesant. Lawrence nuk mundi të përdorte emrin e saj të plotë, pasi ai ishte tashmë i zënë, ndaj u regjistrua me emrin e përdoruesit @jlaw.
Edhe fotografia e profilit të saj tërhoqi vëmendjen. Aktorja shfaqet duke pirë një pije ndërsa duket se është duke rregulluar ngjyrën e flokëve.
Lawrence kishte pranuar prej vitesh se përdorte rrjetet sociale në mënyrë të fshehtë, por nuk ishte aktive publikisht.
“Jam aty, por jam një vëzhguese. Shikoj, nuk flas”, kishte treguar ajo në vitin 2018.
Në atë kohë, aktorja shpjegonte se nuk dëshironte të ekspozohej ndaj reagimeve dhe opinioneve të shumta që vijnë me rrjetet sociale.
“Ka gjithmonë kaq shumë reagime negative, kaq shumë njerëz që dëgjojnë dhe kushtojnë vëmendje dhe kanë opinione për absolutisht çdo gjë”, ishte shprehur ajo.