
Partia Mundësia do të dalë me kandidatët e saj në zgjedhjet lokale të pranverës së vitit 2027.
Lajmin e dha kryetari Agron Shehaj, i cili përmes një video në rrjetet sociale fton këdo që ndien për të kontribuuar "për të ardhmen e vendit", t’i bashkohet ekipit të “Mundësia”.
“Ftojmë të gjithë shqiptarët të na bashkohen! Kushdo nga ju që do të përfaqësojë në mënyrë të ndershme, besnike dhe me dinjitet komunitetin e tij, qytetin e tij në Këshillin Bashkiak, është i ftuar t’i bashkohet Partisë Mundësia. Shqipëria, e ardhmja e Shqipërisë ka nevojë për kontributin e secilit prej nesh. Dhe Partia Mundësia është e hapur për këdo që do të japë kontributin e vet”, thekson ai.
Shehaj bën me dije se Partia Mundësia ka ndezur motorrët e përgatitjes së fushatës për vendoret 2027 dhe ka mbledhur strukturat për mobilizimin drejt zgjedhjeve që do e bëjnë këtë forcë politike që të ketë anëtarë në çdo këshill bashkiak në të gjithë Shqipërinë.
Kreu i Mundësia thekson se partia e ka derën e hapur për këdo që do të përfaqësojë në mënyrë të ndershme, besnike dhe me dinjitet komunitetin e tij.
“Ju presim sepse na pret një punë shumë e madhe. Se sa anëtarë do të kemi varet nga puna jonë dhe nga vota që qytetarët do të na besojnë”, e mbyll video-mesazhin Shehaj.