
Avokatja Sophie Menegon, e cila përfaqëson Hashim Thaçin në çështjen për administrimin e drejtësisë në Gjykatën Speciale, ka kundërshtuar përdorimin e transkripteve të Prokurorisë, duke argumentuar se ato nuk mund të shërbejnë si bazë për shpalljen fajtor të ish-presidentit të Kosovës.
Gjatë seancës, Menegon shpjegoi se mbrojtja ka kundërshtuar transkriptet në tërësi dhe jo vetëm pjesë të veçanta të tyre, pasi, sipas saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk e ka përmbushur barrën e provës.
“ZPS-ja nuk e ka përmbushur barrën e provës dhe privilegjin e kundërvetëinkriminimit”, deklaroi Menegon.
Sipas saj, i takon Prokurorisë të dëshmojë saktësinë dhe besueshmërinë e të gjitha provave që paraqiten para gjykatës.
“Ne kundërshtojmë transkriptet në tërësinë e tyre dhe nuk kundërshtojmë fjali të caktuara të transkripteve. Nuk pritet që tani mbrojtja të ketë barrën e provës ose të akuzuarit të kenë barrën e provës për të vërtetuar pasaktësinë”, tha avokatja.
Menegon argumentoi gjithashtu se transkriptet nuk duhet të pranohen si prova, përveç rasteve kur ato mbështeten nga ekzaminime shkencore dhe nga dëshmitarë të cilët kanë pasur mundësi t’i nënshtrohen kundërpyetjeve.
“Shpallja fajtor në këtë çështje nuk mund të bazohet vetëm në shkallë të gjerë në transkriptet e ZPS-së. Personat që i kanë bërë këto transkripte janë të panjohur dhe mbrojtja nuk e ka pasur mundësinë që t’i marrë në pyetje ata”, u shpreh Menegon.
Mbrojtja e Thaçit ka insistuar se çdo vendim i gjykatës duhet të mbështetet në prova të verifikueshme dhe jo në materiale për të cilat, sipas saj, nuk është dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme saktësia dhe besueshmëria.