
Irani po përballet me vështirësi në sigurimin e furnizimeve me karburant, ndërsa bllokada detare amerikane ka penguar importet e benzinës. Në këtë situatë, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, u ka bërë thirrje qytetarëve të reduktojnë konsumin. Ghalibaf tha se kursimi i karburantit është tashmë i nevojshëm për të përballuar situatën dhe për të shmangur mungesat.
“Sidoqoftë, ajo që është e qartë është se ne duhet të kursejmë benzinë si konsumatorë”, deklaroi Ghalibaf në një intervistë televizive.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, ai shtoi se nëse karburanti përdoret në mënyrë të kontrolluar, vendi mund të përballojë nevojat me prodhimin e brendshëm.
“Nëse e përdorim siç duhet, mund t’ia dalim me sasinë e benzinës që prodhojmë”, theksoi kryetari i Parlamentit iranian.
Thirrja vjen në një moment kur presioni mbi furnizimet me karburant në Iran është rritur ndjeshëm. Një deputet iranian deklaroi ditët e fundit se vendi po përballet me një mungesë ditore prej rreth 15 deri në 20 milionë litrash benzinë, ndërsa importet përmes porteve jugore janë ndërprerë ose janë vështirësuar nga bllokada amerikane.