
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se gjashtë deputetë të partisë së tij kanë dalë kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për postin e presidentit. Nga Lëvizja Vetëvendosje - e cila së bashku me LDK-në e propozuan Sejdiun për president - e konsideruan këtë si një vendim jo të duhur.
Abdixhiku njoftoi për kundërshtimet e deputetëve rreth nominimit të Sejdiut pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së.
"Me keqardhje të madhe për popullin e Kosovës dhe fatin e Republikës, gjashtë deputetë të LDK kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e LDK-së, konkretisht Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri, kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin e propozuar", tha Abdixhiku në një konferencë për media.
Ai shtoi se këtë po i bëjnë dëm "të pariparueshëm gjithë procesit" dhe "pashmangshëm dhe panevojë, duke humbur një mundësi të jashtëzakonshme për Kosovën, e dërgojnë vendin në zgjedhje".
Abdixhiku tha se ka vetëm 12 deputetë në dispozicion dhe me ta do të shkojë në sallë kur të votohet për president, duke shtuar se deri në fund do të bëhen përpjekje për numrat për presidentin.
“Unë me 12 deputetë, vetë i 12-të do të jem në sallë kur të votohet. Deri në momentet e fundit do të bëjmë përpjekje”, tha ai.
Abdixhiku tha se i kërkon falje popullit të Kosovës, që me "me gjithë vullnetin e mirë nuk po arrijmë të japim stabilitet për shkak të një politike të përçudnuar".
"Kam munda, nuk mundem më tepër me këtë përçarje, me këtë Grup Parlamentar", tha ai, duke shtuar se nuk e kupton zellin që të shkohet në zgjedhje.
Ai i akuzoi gjashtë deputetët që dolën kundër nominimit të Sejdiut se kanë vepruar për interesa personale.
“Shumica prej këtyre figurave kanë përvojë të jashtëzakonshme politike në LDK dhe do të duhej të kapërcenin veten. Kjo s’ka qenë garë për mua, s’ka qenë betejë me mua. Beteja me mua ka përfunduar në Kuvendin e LDK-së. Kjo ka qenë betejë për Republikën e Kosovës”, u shpreh ai.
Abdixhiku tha se do të merren masa ndaj gjashtë deputetëve, por nuk tregoi se cilat do të jenë ato.
"Do të merremi me vendime, por kjo s'është tema. Por, gjithsesi, secili njeri që s'e respekton vendimet e kryesisë dhe të organeve, më së paku duhet të ndihet përfaqësues i LDK-së. Nëse asgjë tjetër, do të duhej ta dorëzonim mandatin e deputetit", tha ai.
Abdixhiku tha se Bekim Sejdiu do të ofronte balancë institucionale. Ai tha se refuzimi për ta mbështetur këtë kandidaturë, do të jetë “me pasoja edhe për rezultatet e ardhshme zgjedhore”.
Qëndrimet e deputetëve të LDK-së
Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, reagoi pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, duke u shprehur se ajo është zgjedhur jo për të qenë numër në Kuvend, “e as për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit”.
“Për mua është e papranueshme që sot, në emër të zgjidhjes së krizës institucionale, të bëhemi pjesë e një marrëveshjeje që ia zgjat pushtetin e koncentruar Albin Kurtit”, shkroi ajo.
Bajrami tha se është kundër zgjedhjeve të reja, por shmangia e votimeve të reja, sipas saj, s’mund të jetë arsye që deputetët të votojnë një marrëveshje “që u prezantohet si fakt i kryer”.
“Askush nuk mund ta negociojë votën e një deputeti dhe pastaj, nëse nuk e merr atë votë, ta bëjë deputetin përgjegjës për zgjedhje të reja”, shkroi ajo.
Një ditë më parë, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, po ashtu publikisht tha se është kundër Sejdiut, duke thënë se ai nuk pasqyron interesat parimore dhe politike të LDK-së.
Ndërkaq, pas mbledhjes të së martës, Hoti u shpreh qartë se nuk do të qëndrojë në sallë për të bërë kuroumin për votimin për president.
Ndërkaq, deputetja tjetër që ka dalë kundër Sejdiut, Janina Ymeri tha se me gjithë “pasojat për pozitën time brenda partisë” ka vendosur që të mos votojë për “zgjatjen e pushtetit” të Kurtit.
“Kandidati për president, në anën tjetër, nuk kishte as profil e as pavarësi që të sillte balancë pushteti dhe forcë ndaj kapjes nga Vetëvendosja”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Kujtim Shala tha se nuk ka votë për Sejdiun pasi "gjithmonë" është "kundër bashkëpunimit me Albin Kurtin".
Këto zhvillime vijnë teksa, Lëvizja Vetëvendosje mbrëmjen e sotme po mban mbledhjen e Grupit Parlamentar për të diskutuar për çështjen e presidentit.
Kryetari i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka pasur vullnet për marrëveshje që vendi të ketë president të ri.
Këtë vullnet, “e kemi shndërruar me LDK në marrëveshje me emrin e përveçëm të profesor Bekim Sejdiut”, tha ai.
Kurti tha se një natë më parë është takuar kryesia e LVV-së dhe pas takimit me Grupin Parlamentar, do të prononcohet për media.
Ndërkaq, Arbërie Nagavci nga LVV-ja, tha për mediat se ky vendim i deputetëve të LDK-së është në dëm të interesave të qytetarëve.
“Konsideroj që t’i thuhet jo një propozimi të përbashkët, që ka për qëllim shmangien e zgjedhjeve të reja dhe konstituimin e institucioneve, nuk është një vendim i duhur dhe në interes të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës”
E pyetur nëse do të kërkojnë që të arrijnë votat për president, duke biseduar me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën, Nagavci u shpreh:
“Ju i dini qëndrimet e Aleancës dhe PDK-së. Gjithsesi unë pres dhe besoj që secili deputet duhet të jetë në nivel të përgjegjësisë dhe të bëjë gjithçka që është në mandatin e tij dhe përfundimisht të dilet nga ky ngërç dhe të konstituohen institucionet”.
Mbledhja e Grupit Parlamentar erdhi pasi LDK-ja mblodhi kryesinë partiake ku miratoi marrëveshjen e arritur me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe ku iu bë thirrje deputetëve të saj që ta votojnë Bekim Sejdiun për president të Kosovës.
Në deklaratë, LDK-ja tha se nominimi i Sejdiut në kryesi u mbështet “me unianimitet të plotë”.
“Kryesia u bën thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që, gjatë procesit të votimit, të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë, vendimin e kryesisë dhe përgjegjësinë që mbajnë si përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u tha në deklaratë pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së.
Sipas vendimeve të Kuvendit partiak të LDK-së, të mbajtur në fund të korrikut, thuhej se të gjithë anëtarët, zyrtarët dhe të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së, “obligohen t’i respektojnë dhe zbatojnë vendimet e miratuara nga organet” kompetente të partisë.
Aty po ashtu thuhet se organet partiake duhet të sigurohen që vendimet do të zbatohen dhe kur është e nevojshme “të ndërmarrin masa statutare ndaj shkelësve”.
LDK-ja tha se nominimi i Sejdiut përfaqëson “qëndrimin zyrtar dhe institucional të LDK-së” dhe është marrë në përputhje me mandatin e dhënë nga Kuvendi i LDK-së.
Para mbledhjes së kryesisë, Jehona Lushaku Sadriu, tha se në takim përveç çështjes së presidentit, do të diskutohet edhe për konstituimin e Kuvendit dhe të gjitha institucioneve "sa më shpejt që të jetë e mundur".
E pyetur nëse partia është marrë vesh paraprakisht për emrin e Sejdiut, ajo tha se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, dhe ekipi negociues kanë pasur autorizimin për të negociuar në emër të partisë për emrin e kandidatit.
Prezantimi i Bekim Sejdiut si kandidat për president nga LVV-ja dhe LDK-ja u bë më 31 gusht, pas negociatave disa javëshe midis dy partive.
Për zgjedhjen e tij president kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 vende.
LVV-ja e Albin Kurtit fitoi 53 mandate në zgjedhjet e qershorit dhe, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, ka të paktën 61 vota, të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Me 12 votat - nga 18 deputetë sa ka LDK-ja - që Abdixhiku tha se ka, nuk arrihet pragu prej 80 votash për zgjedhjen e presidentit.
Dy partitë e tjera shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë deklaruar se nuk kanë votë për kandidaturën e prezantuar nga LVV-ja dhe LDK-ja. /Marrë nga Radio Evropa e Lirë