
Jacobo Ramon nuk e dinte se ishte grumbulluar nga kombëtarja e Spanjës. Sigurisht, e shpresonte një gjë të tillë. Në brendësi të tij e dinte se ishte në listën paraprake dhe, kur ke mbërritur deri aty, të duhet vetëm një hap i vogël për të realizuar ëndrrën. Megjithatë, ta imagjinonte veten me fanellën e “La Roja” ishte ende diçka që i përkiste dëshirave të tij më të mëdha. Një lajm që dukej i pabesueshëm.
Në moshën 21-vjeçare, ai e zbuloi se gjithçka ishte e mundur falë Diao, shokut të tij të skuadrës te Como. Ky i fundit nuk e ka pickuar në faqe për ta bindur se nuk po ëndërronte, por ia ka komunikuar lajmin duke bërtitur. Në atë moment, mbrojtësi i ri, i rritur në akademinë e Real Madrid, klub që ka ruajtur të drejtën e riblerjes së kartonit të tij, kuptoi se gjithçka ishte e vërtetë. Nuk bëhej fjalë për një shaka.
Assane e kishte telefonuar duke bërtitur dhe më pas i kishte dërguar edhe një fotografi në WhatsApp, ku shihej lista e lojtarëve të grumbulluar nga De la Fuente. Mes tyre ishte edhe ai. Ramon ndodhej në shtëpi dhe ende nuk kishte parë asgjë. Hapi mesazhin, e lexoi dhe në fillim mbeti i habitur. Më pas e kuptoi: ishte pjesë e listës. Ai do të luajë në Nations League me “Furitë e Kuqe”.

“Në fillim mendova se po tallej me mua, por kontrollova orën dhe ishte pikërisht momenti kur ishte publikuar lista. Kështu që mendova se duhej t'i besoja fjalëve të tij. Isha shumë i lumtur. E dija se isha mes kandidatëve dhe se kisha një mundësi, por nuk e kisha menduar shumë. Për mua, kjo është një dhuratë”.
Nuk bëhet fjalë vetëm për një prapaskenë simpatike, por për një episod që tregon shumë për gjendjen e dhomës së zhveshjes dhe punën që ka bërë Cesc Fabregas. Kjo dëshmon se aty lojtarët ndihen mirë. Ramon është një futbollist i rritur në akademinë e Real Madrid. Ai iu bashkua klubit kur ishte vetëm 8 vjeç dhe qëndroi aty për 12 sezone. Përshkoi të gjitha shkallët e akademisë, deri në ekipin e parë, por pritja për të fituar një vend në skuadër nuk i mjaftonte më. Ai dëshironte të luante dhe të fitonte përvojë, për të kuptuar se sa vlente realisht si futbollist.
“E dija se kishte ardhur momenti për t'u larguar. Është shumë e vështirë të arrish në ekipin e parë, konkurrenca është maksimale dhe duhej të tregoja jashtë klubit se çfarë lloj futbollisti isha”, ka treguar ai për “As”.