
Rishikimi i Kodit Rrugor të Italisë do të vendosë gjoba edhe për këmbësorët që shikojnë telefonat e tyre celularë teksa kalojnë rrugën. Masa vjen si nismë e ministrisë së transportit që kërkon të përmirësojë sigurinë rrugore në vend.
Shkelja, e cila është përfshirë në draftin e Kodit të ri të Rrugës dhe pritet të miratohet në mesin e tetorit, do të sjellë një gjobë prej 75 eurosh ose më shumë.
Qëllimi i masës është të zvogëlojë rastet në të cilat një shofer nuk ka kohë të mjaftueshme për të reaguar ndaj një këmbësori, vëmendja e të cilit është shpërqendruar nga telefoni i tij celular.
Masa vjen pas disa vendimeve të gjykatave italiane që kanë fajësuar këmbësorët e pakujdesshëm për aksidentet. Ndalimi vlen edhe për pajisje të tjera elektronike, të tilla si laptopët, tabletët dhe kamerat dixhitale.
Megjithatë, këmbësorët do të jenë ende në gjendje të bisedojnë duke përdorur kufje gjatë kalimit të rrugës, si dhe të përdorin telefonat e tyre celularë në rast emergjence.
Përdorimi i kufjeve lejohet gjithashtu, me kusht që këmbësorët të dëgjojnë në mënyrë të mjaftueshme me të dy veshët.
Projektligji përcakton gjithashtu se, përpara se të kalojnë një rrugë, këmbësorët duhet të sigurohen që drejtuesi i një automjeti që po afrohet i ka vënë re dhe ka ndërmend të ndalet. Përveç kësaj, këmbësorët nuk duhet të vonohen gjatë kalimit të rrugës për të arritur në anën e kundërt.
Italia nuk është vendi i parë që prezanton një rregullore të tillë. Në vitin 2018, Lituania vendosi gjoba për këmbësorët që përdornin telefona celularë ose merreshin me ndonjë aktivitet tjetër që mund t’i shpërqendronte ata gjatë kalimit të rrugës.
Në vitin 2017, Honolulu u bë qyteti i parë në botë që zbatoi rregulla të ngjashme, ndërsa në vitin 2020 qyteti i Yamato-s në Japoni ndoqi të njëjtin shembull. ©LAPSI.al