
Ka pak informacione publike në dispozicion rreth Alice Huang, gruas që që është vënë në qendër të vëmendjes pas pranimit të aferës nga drejtori ekzekutiv dhe bashkëthemeluesi i Nvidia, Jensen Huang.
Ajo ishte drejtoresha ekzekutive e një kompanie qendrash të dhënash me seli në Singapor, e cila thuhet se dyshohej për shmangie të kontrolleve të eksportit nga SHBA-të dhe për dërgimin e çipave Nvidia në Kinë.
Zyrtarët amerikanë më pas filluan të besonin se ajo ishte gjithashtu një spiune për Pekinin.
Njerëz të informuar mbi inteligjencën amerikane i thanë “New York Times” se besonin se Alice Huang ishte rekrutuar si pjesë e përpjekjeve për të mësuar më shumë rreth çipave amerikanë të inteligjencës artificiale dhe për të bindur Nvidia-n të shtynte përpara që çipat e saj të përparuar t'i viheshin në dispozicion Kinës.
Kina i ka mohuar akuzat, duke i quajtur ato “asgjë tjetër veçse shpifje”. Nuk është e qartë saktësisht se kur u takuan për herë të parë dy Huangët, të cilët nuk janë të afërm. Alice Huang flet mirë anglisht dhe ka lidhje të mira me nivelet e larta të industrisë globale të çipave të inteligjencës artificiale, shkruan “Neë York Times”, duke cituar njerëz që e kishin takuar atë.

“Megaspeed”, kompania e qendrave të të dhënave për të cilën ajo më parë ishte renditur si drejtore ekzekutive, ende e përshkruan veten si "një partner kryesor biznesi i Nvidia" në LinkedIn. Ishte në këtë cilësi që biznesmenja u fotografua në shoqërinë e Jensen Huang disa herë në vitet 2024 dhe 2025.
Një foto nga një festë në vitin 2024, e postuar nga një kompani tjetër pjesëmarrëse në LinkedIn, i tregon të dy të ulur pranë njëri-tjetrit në një divan në Taipei. Një vit më pas, ata u filmuan përsëri së bashku në Taipei në një darkë të organizuar nga Jensen Huang gjatë Computex, ekspozitës më të madhe të teknologjisë në ishull.
“Press outside” transmetoi drejtpërdrejt pamje të të dyve, duke u dukur rehat në shoqërinë e njëri-tjetrit, me Jensen Huang në një moment duke vënë krahun rreth Alice Huang ndërsa ajo e puthi në faqe. Të dy më vonë dolën nga restoranti me të njëjtën makinë, sipas pamjeve filmike.
Një firmë shitjesh me seli në Nju Jork ngriti për herë të parë publikisht shqetësime në lidhje me "marrëdhënien e tyre të ngushtë dhe të pakëndshme" 6 muaj më parë.
Më herët këtë vit, zyrtarët amerikanë shkruan një memo ku thuhej se të dy Huangët kishin pasur një lidhje romantike, raportoi “Financial Times” të shtunën, duke cituar burime që e kishin parë atë.
Të dielën, drejtori ekzekutiv i Nvidia dërgoi një email për të gjithë kompaninë duke kërkuar falje për një aferë jashtëmartesore. Ai nuk e përmendi emrin e Alice Huang, por tha se do të bashkëpunonte me një hetim "lidhur me shqetësimet e sigurisë kombëtare të ngritura në raportet e lajmeve".
Vendndodhja aktuale e Alice Huang është e panjohur dhe ajo nuk ka dhënë një deklaratë publike në lidhje me akuzat.
Nuk është e qartë se cila është marrëdhënia e saj aktuale me Megaspeed. Culper Research, firma e shitjeve, citoi një punonjës në maj të thoshte se, në kundërshtim me raportimin publik, Alice Huang ishte "në fakt ende shefja jonë".

Detajet e karrierës së saj para kësaj janë të vështira për t'u përcaktuar. Disa media kanë cituar një profil që përputhet me emrin dhe fotografinë e saj në një bazë të dhënash fondesh kineze, e cila listonte punë të mëparshme në banka, përfshirë HSBC dhe CITIC, si dhe role në mediat kineze CCTV dhe Hunan TV.
Megjithatë, gazetarët nuk kanë qenë në gjendje të konfirmojnë asnjë nga detajet e listuara. Megaspeed është midis një numri firmash të Azisë Juglindore që blejnë çipa për të ndërtuar objekte dhe më pas ua japin me qira fuqinë e tyre kompjuterike kompanive në Kinë.
Sipas gazetës Straits Times të Singaporit, më parë ajo njihej si 7Road International – një kompani kineze e lojërave të fatit me lidhje me investitorë të mbështetur nga shteti. Në kohën e riemërtimit, ajo ishte në pronësi të Huang Le Limited dhe drejtohej nga Alice Huang, tha gazeta, përpara se pronësia t'i transferohej një kompanie tjetër në vitin 2023.
Që nga fundi i vitit 2024, qeveria amerikane thuhet se ka hetuar Megaspeed për ndihmën që i ka dhënë kompanive në Kinë për të anashkaluar kufizimet amerikane të eksportit. Neë York Times tha se Singapori e mori në pyetje Alice Huang gjatë hetimit të vet ndaj kompanisë, por e liroi atë. Nvidia më parë ka thënë se ka hetuar Megaspeed, por nuk ka gjetur asnjë arsye për shqetësim. The Guardian ka kontaktuar Megaspeed për koment. ©LAPSI.al