
Çmimet në pikat e karburantit në Gjermani po njohin vetëm një drejtim, rritje rekord. Tani kancelari federal Friedrich Merz (CDU) vlerëson se është arritur kufiri i përballueshmërisë për shumë qytetarë. "Mendoj se duhet të veprojmë”, deklaroi ai të martën në Berlin. Sipas Merzit, qeveria ende nuk ka vendosur për instrumentet konkrete, por po shqyrton mundësinë e ndërhyrjeve përmes taksave dhe tarifave. Ndërkohë, industria e naftës parashikon që normalizimi i çmimeve të ndodhë vetëm gjatë vitit të ardhshëm.
"Për shumë njerëz që varen çdo ditë nga makina, kufiri i përballueshmërisë është arritur”, tha kancelari. Ai theksoi se qeveria federale po zhvillon konsultime intensive me landet për masat e mundshme lehtësuese dhe premtoi se një propozim konkret do të paraqitet shumë shpejt. Edhe pse në mbledhjen e kabinetit të së mërkurës nuk priten vendime zyrtare për këtë çështje, sipas burimeve qeveritare tema e lehtësimit të barrës së çmimeve të karburanteve do të diskutohet të paktën në mënyrë joformale.
Dy propozime të ndryshme
Ndërsa SPD-ja kërkon kufizimin e çmimeve dhe vendosjen e një takse për fitimet e tepërta të gjigantëve të naftës, Ministria e Ekonomisë favorizon një zgjidhje tjetër. Nga Ministria e Ekonomisë pati skepticizëm ndaj propozimeve të SPD-së për frenimin e çmimeve të karburanteve. Sipas burimeve të ministrisë, si kufizimi administrativ i çmimeve, ashtu edhe vendosja e një takse mbi fitimet e tepërta të koncerneve të naftës, mbartin probleme dhe rreziqe të konsiderueshme.
Ministria e Ekonomisë argumenton se modeli luksemburgas nuk është i përshtatshëm për Gjermaninë. Madhësia e tregut dhe kushtet e ndryshme ekonomike e bëjnë të vështirë transferimin e kësaj skeme. Për më tepër, një tavan për çmimet e karburanteve do të mund të krijonte probleme ligjore dhe kosto të konsiderueshme për shtetin. Si shembuj përmenden Polonia dhe Austria, të cilat eksperimentuan me masa të ngjashme, por i hoqën ato vetëm pak muaj më vonë.SPD-ja sheh si model Belgjikën. Atje, shteti cakton çdo ditë çmimin maksimal të karburanteve, bazuar në ecurinë e çmimit të naftës dhe kostot e tregut. Pikat e karburantit mund të ofrojnë çmime më të ulëta, por jo më të larta se kufiri i përcaktuar. Sipas socialdemokratit Armand Zorn, kjo skemë mbron konsumatorët nga rritjet e pakontrolluara, pa krijuar kosto shtesë për buxhetin e shtetit.
Kurse Ministrja e Ekonomisë, Katharia Reiche, mbështet një zgjidhje tjetër. Ajo favorizon pagesa të drejtpërdrejta për familjet me të ardhura të ulëta. Këto do të duhej të zbatoheshin nga Ministria Federale e Financave. "Një instrument i tillë tashmë ekziston”, tha politikania e CDU-së. "Kjo do të ishte një mënyrë për të lehtësuar shpejt barrën financiare, por në mënyrë të targetuar, pikërisht për ato grupe të ardhurash” që paguajnë pak ose aspak taksa./DW