
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi pas masës së sigurisë ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke e konsideruar ngjarjen si një rast të paprecedentë për shërbimin sekret shqiptar dhe duke drejtuar përgjegjësinë politike te kryeministri Edi Rama.
“Në histori keni lexuar, keni dëgjuar që shefat e shërbimeve të kenë punuar në kundërshtim me ligjet për diktatorë, për agjenci të tjera, por kjo është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit”, deklaroi Berisha në konferencën për mediat.
Kreu i PD-së e përshkroi çështjen si veçanërisht të rëndë për shkak të natyrës së institucionit që drejtonte Hyseni. Sipas tij, SHISH administron informacione që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare dhe detyra e drejtuesit të tij është pikërisht ruajtja e sekretit dhe bashkëpunimi me institucionet ligjzbatuese.
Berisha pretendoi se zhvillimet e sotme lidhen edhe me denoncimet që ai kishte bërë vite më parë për mënyrën e funksionimit të SHISH. Ai iu rikthye një deklarate të vitit 2024, kur akuzonte qeverinë se kishte ndryshuar praktikën e përcjelljes së informacioneve të mbledhura nga shërbimi drejt Policisë dhe prokurorive.
“Edi Rama nuk kishte kurrë të drejtë të bllokonte komunikimin ligjor, të diktuar nga ligji, midis institucioneve në luftën kundër krimit”, tha Berisha.
Sipas versionit të paraqitur prej tij, informacionet që SHISH siguronte gjatë punës për kriminalitetin, korrupsionin, terrorizmin apo kërcënime të tjera duhej t’u përcilleshin drejtpërdrejt institucioneve kompetente. Berisha pretendoi se ishte vendosur që këto të dhëna të kalonin fillimisht përmes Kryeministrisë.
“Këto informacione duhej që shërbimi informativ t’ua kalonte automatikisht sipas rastit Policisë së Shtetit, në rastin tjetër SPAK-ut, në rastin tjetër Prokurorisë së Tiranës dhe me radhë”, deklaroi ai.
Berisha solli në vëmendje edhe denoncimet e tij të dhjetorit 2022, përpara se Hyseni të emërohej në krye të SHISH. Ai përsëriti pretendimet e atëhershme për aktivitetin e saj pas largimit nga shërbimi inteligjent i Kosovës dhe për marrëdhëniet me Serbinë, duke thënë se e kishte konsideruar që në atë kohë situatën një rrezik për shkëmbimin e informacioneve të klasifikuara me partnerët e NATO-s.
Përgjegjësinë politike për atë që ndodhi, Berisha ia faturoi kryeministrit, duke argumentuar se Hyseni u vendos në krye të SHISH nga Edi Rama dhe se problemet që ai pretendon se kishte denoncuar nuk ishin të panjohura më parë.
“Kjo përbën një nga aktet më madhore, më themelore të Edi Ramës, të bashkëpunimit të tij me krimin dhe bandat”, deklaroi Berisha.
Akuzat e Berishës për veprimtarinë e Hysenit, për marrëdhëniet e saj me shërbime të huaja dhe për ndërhyrjet e pretenduara të Kryeministrisë në qarkullimin e informacioneve të SHISH janë pretendime të kreut të PD-së të bëra në konferencën për mediat.
Pjesë nga deklarata e Sali Berishës në konferencë për mediat
Në histori keni lexuar, keni dëgjuar që shefat e shërbimeve të kenë punuar në kundërshtim me ligjet për diktatorë, për agjenci të tjera, por kjo është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit.
Sot prokuroria ka lëshuar urdhër arrest për Vlora Hysenin, shefen e shërbimit informativ kombëtar si bashkëpunëtore në krim, si njeri që ka shkelur betimin, ligjin dhe sekretet e shërbimit ua ka dhënë kriminelëve.
Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës, ndaj ligjit se ky.
Natyrisht, shërbimi informativ kombëtar është një institucion i një rëndësie të jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare.
Fillimisht pas të themi largimit të detyruar, gjoja për studime të ish-shefit të shërbimit, Helidon Bendo, në shërbim u dërgua këshilltari i tij, famëziu Kashani, i cili në aktin më të parë, i urdhëruar nga Rama, urdhëroi punonjësit të ndërpresin çdo bashkëpunim me shërbimet partnere. Rast unik. Koreja e Veriut mund ta kishte një urdhër të tillë.
Por, ndërkohë famozja Hyseni ishte në atë kohë këshilltare e Edi Ramës për shërbimet inteligjente.
Ky është denoncim në vitin 2022. Më 24 dhjetor 2022.
Burime shumë të besueshme informojnë se sapo mori detyrën, Vlora Hyseni e shkarkuar nga qeveria e Kosovës sepse plaçkiti të dhënat e shërbimit dhe i dërgoi në adresë të armiqve të Kosovës, emërohet drejtoreshë dhe vizitën e parë, sipas burimeve direkt të kryeministrisë, e bëri në Beograd ku qëndroi mbi 10 ditë.
E kam konsideruar në atë kohë një kërcënim serioz për NATO-n, pasi shërbimet inteligjente të NATO-s ndajnë informacione me shërbimet inteligjente të vendeve anëtare dhe natyrisht në duart e saj ato kanë shkuar në drejtim të padronëve të saj.
Këtu unë kam denoncuar pikërisht një akt unik, të papërgjegjshëm, kriminal të Edi Ramës.
‘Një muaj më parë, Edi Rama, jep urdhër në kundërshtim flagrant me ligjin e shërbimit informativ kombëtar, ligji që ta dinë shqiptarët, detyron shërbimin, të dhënat që ai mbledh në punë e sipër për kriminalitet, për korrupsion, për vepra kërcënuese, për terrorizëm, etj, me ligj ai ua kalon institucioneve ligjzbatuese. Kurse një muaj më parë, Vlora që e kuptoni vetë, më mirë të quhej me çdo emër tjetër, por jo Vlorë, e mori pasi e shkarkuan nga shërbimi informativ në Kosovë, urdhëron drejtoritë të mos dërgojnë asnjë informacion askund tjetër, por çdo informacion që të kërkojë policia, prokuroria apo institucionet e tjera, ta dërgojë njëherë tek kryeministri, tek Engjëll Agaçi, dhe pastaj ata të kalojnë.
A nuk është ky një kontroll i tmerrshëm policesk?
A nuk është ky një akt antiligjor?
A nuk është ky kthimi i shërbimit informativ kombëtar në një vegël të verbër të Edi Ramës?’
Kjo përbën një nga aktet më madhore, më themelore të Edi Ramës, të bashkëpunimit të tij me krimin dhe bandat.
Edi Rama nuk kishte kurrë të drejtë të bllokonte komunikimin ligjor, të diktuar nga ligji, midis institucioneve në luftën kundër krimit.
Këto informacione duhej që shërbimi informativ t’ua kalonte automatikisht sipas rastit Policisë së Shtetit, në rastin tjetër SPAK-ut, në rastin tjetër Prokurorisë së Tiranës dhe me radhë.
Nuk kanë asnjë lidhje me personin e kryeministrit dhe kryeministri nuk ka asnjë tagër të bllokojë këtë komunikim në funksion të sigurisë kombëtare.
E kam denoncuar që në atë kohë, në vitin 2024.