
Ndeshja më e tensionuar e fazës së 1/8-ave të finaleve të Botërorit 2026 përfundoi me një skenë krejt ndryshe nga ajo që pritej. Pas humbjes 4-1 të SHBA-së ndaj Belgjikës, Folarin Balogun iu afrua vetë trajnerit të Belgjikës, Rudi Garcia, i cili një ditë më parë kishte kundërshtuar publikisht praninë e tij në fushë. Jo për të vazhduar polemikat, por për të biseduar ballë për ballë.
Vetë Garcia e tregoi episodin në konferencën për shtyp pas kualifikimit të Belgjikës në çerekfinale: “Erdhi të më fliste. Më pëlqeu shumë ky gjest. Nuk është faji i tij, nuk është ai që duhet fajësuar. Pikërisht këtë i thashë.” Trajneri belg bëri të qartë se problemi nuk ishte Balogun, por mënyra se si FIFA kishte menaxhuar çështjen dhe ndërhyrjet e presidentit amerikan Donald Trump.
Sulmuesi amerikan ishte ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e mëparshme ndaj Bosnjë-Hercegovinës dhe, sipas rregullores, duhej të mungonte automatikisht në sfidën ndaj Belgjikës. Megjithatë, FIFA pezulloi zbatimin e dënimit duke iu referuar nenit 27 të Kodit Disiplinor: kartoni i kuq mbeti në fuqi, por pezullimi me një ndeshje u ngrirë për një periudhë prove prej një viti. Në këtë mënyrë Balogun u shpall i gatshëm dhe Mauricio Pochettino e aktivizoi si titullar.
Vendimi shkaktoi një stuhi polemikash. Federata Belge e Futbollit u deklarua “e tronditur”, duke kundërshtuar mosrespektimin e pezullimit automatik pas një kartoni të kuq direkt. Çështja mori më pas edhe një dimension politik: sipas New York Times, në ditët para vendimit kishte pasur një telefonatë mes Shtëpisë së Bardhë dhe FIFA-s. Vetë Donald Trump konfirmoi më pas se kishte kërkuar rishikimin e rastit, duke e cilësuar kartonin e kuq si një vendim të padrejtë.
Para ndeshjes, Garcia ishte shprehur shumë ashpër: “Nuk e dija që në Botëror, më 5 korrik, ishte bërë 1 prill”, duke e krahasuar vendimin me një shaka të Ditës së Gënjeshtrave. Megjithatë, pas fitores 4-1 ndaj SHBA-së, trajneri ndau qartë lojtarin nga polemika: Balogun nuk kishte asnjë përgjegjësi për vendimin e FIFA-s.
Në fushë, sulmuesi amerikan nuk arriti të linte gjurmë. Ai fitoi goditjen e dënimit nga e cila erdhi goli i Malik Tillman, por Belgjika dominoi takimin falë dopietës së Charles De Ketelaere dhe golave të Vanaken e Lukaku. SHBA u eliminua nga Botërori, ndërsa Belgjika e shndërroi polemikën në një natë feste dhe kualifikimi. Garcia mohoi gjithashtu se e kishte përdorur çështjen Balogun për të motivuar skuadrën para ndeshjes: “Ajo që kishte vërtet rëndësi ishte plani ynë i lojës.”
Megjithatë, ishte e pashmangshme që kaosi i shkaktuar nga vendimi i debatueshëm i FIFA-s të ndikonte në përgatitjen e të dyja skuadrave për këtë sfidë të 1/8-ave. Ndoshta më shumë se të gjithë, ndikoi vetë Balogunin, i cili pas eliminimit, me një gjest të thjeshtë, u përpoq të hiqte nga vetja një faj që, siç e pranoi edhe Garcia, nuk kishte qenë kurrë i tij.
