Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas protestës në Shkodër, të mbajtur sot pas masakrës së 30 tetorit me tre të vrarë. Berisha u shpreh se qytetarët u ngritën sot mbi dhunën shtetërore dhe se qëndruan në emër të paqes, sigurisë dhe të ardhmes së qytetit.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Kam sonte përshëndetjen më të përzemërt për qytetarët e Shkodrës, për ata mijëra e mijëra të rinj, të reja, burra dhe gra që sot me marshin e tyre u ngritën mbi terrorin. U ngritën mbi dhunën shtetërore. Mbi masakrat e organizuara nga shteti me bandat e tij. Qëndruan në emër të jetës, të paqes së qytetit, të sigurisë dhe të ardhmes së tij.
Të dashur miq, masakra e Shkodrës e datës 30 tetor, para se të jetë një histori krimi, para se të jetë një histori mafioze, është një histori krimi dhe mafie shtetërore. E paralajmëruar, por e licencuar nga shteti mafioz. Kjo masakër ndodhi edhe pasi një nga viktimat e saj, i ndjeri Arlind Bushati, 32 vjeç, e kishte paralajmëruar se do të ndodhte.
19 ditë para atentatit, disa kriminelë me pistoleta u përpoqen të shtinë dhe t’i marrin jetën Arlindit tek pinte kafe me shokët e tij. Pistoletat për fat nuk shkrehën. Ky ishte paralajmërimi i masakrës makabre që tronditi Shkodrën dhe Shqipërinë. Pas atentatit të dështuar, Arlindi denoncoi në narkopolici. Atje kishte dëshmitarë. Mediat e transmetuan ngjarjen.
Por çfarë bëri narkopolicia?
Asnjë masë! Asnjë mbrojtje për Arlindin. Asnjë ndalim për të dyshuarin! Asnjë marrje në pyetje. Sepse ajo ishte një me bandën e partisë.
Sepse ajo nuk është policia e qytetarëve të Shkodrës, por është policia e banditëve të Edi Ramës.
Prandaj masakra e 30 tetorit me tre të vdekur ishte edhe një histori e licencuar. E organizuar, e mbështetur nga banda e partisë dhe policia e saj.
Është historia e një policie po aq fajtore në krim sa ata që shkrehën plumbat mbi Arlind Bushatin, Hamza Licin, Flutura Bashën dhe bashkëshortin e saj.