Një incident i paprecedentë po ndodh në doganën e Kapshticës. Autoritetet greke kanë penguar në kufi grupet e xhirimit të disa televizioneve që janë nisur për të përcjellë takimin e kryeministrit Edi Rama nesër në Selanik. Pala greke ka bllokuar kalimin e ekipit të xhirimit të Tv Klan dhe televizionit A2CNN, me justifikimin se nuk kanë një leje të posaçme e dhënë nga Ministria e Jashtme e Greqisë.
Gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka raportoi nga pika kufitare se ndodhet atje prej dy orësh.
“Ndodhemi këtu në doganën e Kapshticës prej afro dy orësh tashmë. Na janë marrë pasaportat, por nuk lejohemi që të kalojmë. Nuk janë vulosur pasaportat. Argumenti është që ne na duhet një leje e posaçme e dhënë nga Ministria e Jashtme e Greqisë. Duhej dërguar një notë verbale, një kërkesë që ne të lejoheshim. E paprecedentë në fakt pasi herë pas here kemi bërë udhëtime të tilla. Ishim në Maj në Athinë me kryeministrin Edi Rama. Nuk na u kërkua asnjë leje e posaçme për të kaluar dhe për të transmetuar, apo për të xhiruar brenda territorit grek.
Argumenti i punonjësve të pikës kufitare këtu në Kapshticë, të palës greke, është që na duhet patjetër kjo leje e posaçme pasi duhet të xhirojmë dhe prodhojmë video nga territori grek. Siç e thashë, është e pazakontë, e pakuptimtë, prej dy orësh mbajnë pasaportat dhe nuk kthejnë përgjigje edhe për sa orë të tjera do të rrimë këtu, të presim, për të kaluar dhe për të ndjekur aktivitetin për të cilin jemi nisur nga Tirana. Nuk është vetëm ekipi i Tv Klan. Ekipi i Tv Klan që do të transmetojë live ka rreth orës 10:30 që qëndron këtu në pikën e Kapshticës dhe edhe ata pa asnjë përgjigje se sa duhet të rrinë akoma për të kaluar në territorin grek”, tha Zotka.
Situata bëhet akoma më e pazakontë kur këshilltarët e Ministrisë së Jashtme të Greqisë kanë thënë se pavarësisht se ka shkuar kërkesa, autorizimin nuk mund ta japin me telefon, por me email. Zotka kujtoi se kur kryeministri grek ka ardhur në Shqipëri, takimet janë raportuar pa asnjë problem. Ndërkohë nëse e njëjta gjë do të ndodhte me gazetarët grekë, nota e protestës nga Athina zyrtare do të ishte më e lartë.
“Nuk di ta shpjegoj. Nuk dinë ta shpjegojnë as autoritetet tona. Kam komunikuar me disa përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, po ashtu edhe me zyrën e shtypit të kryeministrit ku kemi ngritur këtë shqetësim. Edhe për ta është e pakuptimtë. Nuk e dinë arsyen. Nuk di nëse kjo lidhet me faktin që do të ketë një takim të shqiptarëve me kryeministrin Edi Rama. Shpresoj shumë që të mos jetë kjo arsyeja që të na pengojnë të pasqyrojmë këtë aktivitet. Emigrantët shqiptarë janë një pasuri për shtetin grek. S’besoj se duhet të ketë arsye për të bërë një takim me kryeministrin e tyre…
Siç ka ardhur zoti Mitsotakis në Shqipëri, ka zhvilluar takime me minoritetin grek. Arsyet e takimit të tij kanë qenë edhe më të mëdha për të bërë më shumë zhurmë. Ne e kemi pasqyruar. Kanë qenë takime krejt normale. Nuk e di nëse do të ndodhte të kishte një gazetar grek, të ishte ndaluar nga autoritetet shqiptare, nuk e di sa e madhe do ishte bërë kjo çështje, se si do ngrihej nota e protestës nga autoritetet. Por shpresojmë që të kalojmë sa më shpejt dhe ky të jetë incidenti i fundit edhe pse i pakuptimtë”, tha Zotka.