Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur se nga marrëveshja e Washingtonit vetëm pika e fundit, ajo e njohjes nga Izraeli mund të konsiderohet e realizueshme.
Në një intervistë për RTK, Kurti u shpreh se një tjetër pikë e marrëveshjes bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ajo që ndalon anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ai gjithashtu është shprehur se Hoti duhej që të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese për nënshkrimin e kësaj marrëveshje.
“Së pari aty e keni parë që mungon nënshkrimi i ish-Presidentit amerikan. Është nënshkrimi i ish-kryeministrit tonë. Këto janë të detaje shumë të rëndësishme. Pra, është çështje e çuditshme ai tekst.
Pika e fundit është e pranueshme, njohja e Izraeli është diçka e cila ka ndodhur dhe është e mirë, por pikat tjera janë të diskutueshme. Ka edhe pika problematike. Madje një pikë aty është moratoriumi që Kosova nuk mund të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Kjo është kundër Kushtetutës tonë. Por kryeministrit të kaluar nuk i erdhi radha që të përballet në Kushtetuese edhe me këtë pikë pasi doli se me datën 3 qershor ai nuk ishte zgjedhur.
Pse e para u zbatua pika e fundit. Nuk po them që marr me pincetë aty, por një kryeministër që doli jo vetëm jolegjitim, por edhe jokushtetues nuk mund të marrë një pranim të verbër.
Mendoj se edhe Amerika nuk na dëshiron të dobët. Populli amerikan nuk i do servilet. Ata i duan patriotet. Mendoj se ka pasur keqkuptime në marrëdhëniet tona. Edhe në rastin e Izraelit. Pse i kanë SHBA dhe Izraeli marrëdhëniet e mira. Pasi ata janë patriotë. Këta që kanë menduar se me dëgjueshmëri të plotë dhe servilitet arrijnë diçka atëherë e kanë ditur se kanë afatin e skaduar”, - tha Kurti.