Pas zgjedhjeve të 25 prillit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka organizuar një takim me strukturat e forcës së tij politike për të konfirmuar se nuk ka ndërmend t'i njohë rezultatet që dolën nga këto zgjedhje. Para demokratëve të Durrësit, Basha tha se kjo nuk ishte një betejë vetëm për Partinë Demokratike, por për të gjithë shqiptarët.
Gjatë fjalës së tij, lideri demokrat tha se mendimet, idetë konstruktive, kritikat konstruktive vetëm e ndihmojnë PD-në dhe se i mirëprisnin ato. Mes të tjerash Basha tha se PD eshte e përkushtuar ndaj gjithë angazhimeve dhe se nuk do rreshtin së luftuari për shqiptarët derisa t’i përmbushim ato. Kryedemokrati e cilësoi si të pabarabartë garën e 25 prillit, duke theksuar se u përballën me bandat e bëra njësh me pushtetin.
"25 prilli është një masakër elektorale ku vullneti i zgjedhësve u tjetërsua nga krimi i organizuar, shitblerja e votës dhe shkrirja e shtetit me partinë dhe shkrirja e partisë me shtetin. Është e qartë si ky diell që shndrin që ky rezultat nuk do të njihet kurrë dhe për kë mendon se 25 prilli është mbarimi i betejës tonë për t’u siguruar durrsakëve dhe të gjithë shqiptarëve të ardhmen që meritojnë në vend të masakrës mbi demokracinë, mbi familjet e tyre, mbi bizneset e tyre, mbi të ardhëm e tyre e ka gabim. Beteja jonë vazhdon dhe do të vazhdoje deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi. Prej më shumë se një viti i kemi vënë në dispozicion institucioneve ndërkombëtare, institucioneve të drejtësisë së re, fakte konkrete mbi të gjithë dhunimet dhe krimet zgjedhore të Partisë Socialistë, të Edi Ramës, të kupolës drejtuese dhe faktorëve të krimit të organizuar. Mbi 180 kallëzime të tilla janë depozituar në SPAK dhe prokuroritë anë e mbanë vendit. Por ne do të dokumentojmë deri në fund provat e masakrës elektorale dhe do ta vazhdojmë betejën tonë në çdo hapësirë me çdo mundësi, me të gjitha forcat dhe mjetet tona. Një gjë është e sigurt. Fundi i kësaj beteje është një dhe vetëm një, përmbysja e këtij regjimi dhe vazhdimi i betejës tonë për ta çuar Shqipërinë dhe shqiptarët drejt së ardhmes që meritojnë. Shqipëria nuk është e regjimit Rama-Doshi, kjo është Shqipëria jonë, kjo është Shqipëria juaj e qindra mijëra shqiptarëve që na ndoqën dhe na besuan me votën e tyre.", tha Basha.