Në një takim elektoral me të rinjtë në zonën e Farkës në Tiranë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka komentuar akuzat e nxjerrjes nga Partia Socialiste të të dhënave personale të votuesve nga e-Albania. Gjatë fjalës së tij, Basha tha se edhe ky marifet nuk e shpëton kryeministrin, Edi Rama. Sipas tij 25 prilli është dita e bashkimit të shqiptarëve për ndryshim.
“E di edhe ai dhe nuk ka marifet që e shpëton. E keni parë atë marifetin që publikuan dje që rrinë dhe mbledh numra të kartave të identitetit, e tjerë, e tjerë. Nuk ka marifet që e shpëton. 25 prilli është dita e bashkimit më të madh të shqiptarëve për ndryshim. Pas 25 prillit ndryshimi do të marrë formë konkrete”, tha Basha.
Lideri demokratik, po ashtu, iu përgjigj interesit të të rinjve për mënyrën se si do të mbështeten studentët. Ai përsëriti zotimin se çdo student që vjen nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj, shteti do t’i paguaj 100% tarifën bachelor dhe master dhe 50% të tarifës për studentët që vijnë nga familje me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj.