Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasditen e sotme sërish për gjendjen e ambienteve spitalore dhe punën e bërë në sistemin e shëndetësisë gjatë qeverisjes së tij. Nëpërmjet një statusi në Facebook, kreu i qeverisë ka krahasuar fotot e depos farmaceutike në QSUT 7 vite më parë dhe se si ajo është transformuar.
Sipas Ramës, në 8 vite qeverisje janë përmbysur realitete dramatike dhe nëse merr një mandat i tretë, PS do të vijojë me ndryshime të kësisoj.
“Kush nuk e di nga është nisur, nuk e ka idenë ku është dhe as nuk ka shans të arrijë ku do, përkundrazi rrezikon të kthehet mbrapsht pa e kuptuar as vetë se si! Prandaj të jemi të pakënaqur me tëra problemet e mprehta që akoma ka shërbimi shëndetësor, por të jemi gjithashtu të bindur, se siç janë përmbysur realitete dramatike si kjo depo farmaceutike e plot të tjera, do të zgjidhen me radhë e me vullnet, punë, durim edhe problemet më të mprehta", shkruan ndër të tjera Rama.
