Presidenti i Republikës Ilir Meta thotë se mbetet i vendosur që në negociatat me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar duhet një zgjidhje të qëndrueshme, që respekton Kushtetutën e Shqipërisë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe të Drejtën Ndërkombëtare. Në një intervistë për Vizion Plus, meta tha se për këtë çështje, ka bërë gjithmonë përpjekje, për të ndihmuar dhe për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në radhë të parë me Qeverinë. Meta ka komentuar edhe vendimin e Athinës për tu zgjeruar me 12 milje në detin Jon.
“Lidhur me aktin më të fundit, mund të them që po bëjmë punën tonë për t’u njohur me të dhe efektet që mund të ketë për të drejtat tona, për të cilat i garantoj të gjithë, që do bëj çdo përpjekje për t’i mbrojtur në mënyrën më të qartë, në respekt të Kushtetutës, sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Shqipërisë, në mënyrë transparente dhe konstruktive” – tha Meta duke mos i kursyer kritikat për qeverinë për mungesë të transparencës.
“Kjo çështje është hapur edhe më parë në një mënyrë, jo shumë të qartë dhe jo transparente. Për çdo përfaqësues të institucioneve shqiptare është e rëndësishme, që në sjelljen dhe qëndrimet publike të mbrojë gjithmonë interesat e vendit. Në këtë drejtim ka nevojë për shumë më tepër përgjegjshmëri dhe përmbajtje nga çdo aktor.
Jo vetëm Kushtetuta, por edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i ka bërë të qarta atributet e kompetencat për një çështje të tillë apo të ngjashme si kjo, të çdo aktori vendas në Republikën e Shqipërisë dhe askush nuk duhet të shkelë apo të tejkaloj përgjegjësit e tij” – tha Meta.
“Presidenti i Republikës nuk ka asnjë njoftim zyrtar, lidhur me ndërprerjen e negociatave midis dy vendeve për këtë çështje. Së dyti, e theksova dhe më parë, asnjë aktor vendas nuk duhet të marrë përsipër përgjegjësi, që dalin jashtë përgjegjësive, që ka përcaktuar Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje” - shtoi kreu i shtetit që u tregua i rezervuar që të bëjë komente për dërgimin e çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
“Kjo është një çështje që rezervohem të shprehem më shumë publikisht. Si President, i kam bërë të gjitha veprimet në mënyrë më të qartë, më të dokumentuar dhe më zyrtare, për të kontribuar për zgjidhjen e saj parimore, të drejtë dhe afatgjatë” – tha Meta. ©LAPSI.al