
Bashkimi Evropian po shqyrton një përgjigje të përbashkët ndaj sulmit kibernetik që goditi sistemet e ftohjes në rreth 700 supermarkete në Francë. Autoritetet franceze ia kanë atribuar sulmin Iranit, ndërsa Brukseli ka paralajmëruar se në tryezë janë edhe sanksione ndaj personave apo subjekteve që mund të jenë të përfshirë.
Sulmi ndërhyri në sistemet që kontrollojnë temperaturën e frigoriferëve, duke krijuar probleme në ruajtjen e produkteve të freskëta dhe të ngrira. Franca ka thirrur ambasadorin iranian për shpjegime dhe ka nisur hetime ndaj personave që dyshohet se kanë lidhje me strukturat kibernetike të Gardës Revolucionare.
Çështja pritet të diskutohet edhe nga ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së, ndërsa Parisi ka bërë të ditur se po shqyrton disa forma reagimi. Irani i ka mohuar akuzat dhe i ka cilësuar ato të pabazuara.