Ergys Mërtiri, një nga aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, thotë se arsyeja përse u shoqërua në Komisariat ishte për fshirjen e videove që dëshmonin dhunën policore. Në një prononcim për ‘Fax Neës’, Mërtiri rrëfen se ia morën telefonin me dhunë dhe ia fshinë të gjitha videot. Dhe vetëm kur doli nga ambientet e Komisariatit nr.1, konstatoi se pamjet ishin fshirë.
‘Unë jam marrë në Polici dhe kur i pyesja se për çfarë po më merrnin, thonin ta shpjegojmë në Komisariat. Nuk ma tregonin, ndërkohë që më kishin marrë telefonin me dhunë. Dhe kur shkova në Komisariat, më dhanë telefonin dhe më nxorën.
https://lapsi.al/2020/12/19/dalin-pamjet-policia-ndalon-pedagogun-ergys-mertiri-video/
Aty vura re se videot e mia ishin fshirë. Ka shpëtuar vetëm një video ku Donaldi ishte live në faqen e Aleancës. Por të gjitha videot e tjera, që kanë zgjatur mbi çerek ore, ku po ushtrohej dhunë ndaj qytetarit dhe forcë, janë fshirë.
Njëri thoshte që e kam krahun e lënduar nga protesta për vrasjen e 25-vjecarit Rasha, ndërsa ata ia përthyenin më keq.
Videot u fshinë sepse tregonin të gjithë brutalitetin e Policisë, si kërcënonin të tjerët përreth, si godisnin. Ishte për të shmangur provat e egërsisë së tyre. Unë kështu e mendoj, se nuk ka asnjë arsye pse duhet të merresha në Polici.
I thashë që jam gazetar dhe kam të drejtë. Ky shtet është policor. Janë shenjat e një shteti që nuk është në shërbim të qytetarit, por që ushtron një detyrë politike për të bërë zap qytetarët’, - u shpreh Ergys Mërtiri.