Detaje të reja zbulohen nga ngjarja tronditëse e ditës së sotme, ku një 25-vjeçar u vra nga policia fare pranë banesës së tij pasi tentoi ti largohej me vrap.
Shtohen dyshimet se policia manipuloi ngjarjen, duke thënë se qëlloi për vdekje të riun pasi i kërcënoi me armë dhe se arma u gjet më vonë aty pranë.
Sipas gazetarit të kronikës së zezë Driçim Caka, duke u bazuar në pamjet filmike të bizneseve pranë vendit të ngajrjes, i riu shfaqet duke vrapuar dhe në asnjë moment nuk ka shfaqur rrezikshmëri ndaj policëve. Sipas gazetarit 25-vjeçari u ekzekutua vetëm 50 m larg banesës së tij.
"Policia e Shtetit vrau një djalë të ri të pafajshëm. Në asnjë moment nuk dallohet në kamerat e sigurisë se ai i drejtoi armën policëve.
Në asnjë moment nuk u pa që ai të sulmonte policët. Në asnjë sekuencë të kamerave që u fshehën, ai nuk shfaq kërcënim, por vetëm ikën me vrap. Po po, ikën me vrap nga frika e një gjobe karantine ndoshta…
Edhe nëse kishte pistoletë (duke besuar versjonin e Policisë), ai e kishte hedhur shumë më parë, prandaj polici nuk kishte pse ta qëllonte. Efektivi i Policisë nuk qëlloi në ajër, nuk zbatoi procedurën duke e qëlluan në këmbë.
50 metër ishte larg 25-vjeçari nga dera e banesës. Fati deshi që rruga t’i pritej në mes dhe nga kush: Policia e Shtetit, ata që duhet të na mbrojnë. Arrestimi I policit është minimalja që duhet bërë. Përgjegjësia është akoma më e madhe…" - shkruan gazetari.