Fjalimeve të Edi Ramës në takimet publike me socialistët nuk i ka munguar asnjëhere as rrjedha logjike, as ironia, as përzgjedhja e fjalëve dhe as interpretimi, sepse pas kaq vitesh në politikë, është e konfirmuar tashmë aftësia e tij oratorike. Por gjatë emisionit “Real Story” kur u pyet për një aleancë pas 25 Prillit me partitë e tjera, Rama normalisht e kërkoi votën e shqiptarëve vetëm për PS, por përmes nje fjalie që rrekej të jepte një shpjegim, duke mos e dhënë në vetvete arsyen se pse duhet ta japim votën për PS në 25 Prill.
“PS merr mandatin e tretë për një arsye shumë të thjeshtë, nuk është për mua personalisht as qëllim në vetvete, por mandati i tretë i duhet Shqipërisë” tha Rama, me një fjali që më shumë se jep përgjigje, ngre pikëpyetje.
Vërtet, për çfarë po e kërkon kryesocialisti një mandat të tretë? Se çfarë do të ofrojë në fushatë Edi Rama mbetet për t’u parë në muajt në vazhdim, por nisur nga kjo që thotë sot i pari i socialistëve, qëllimi i mandatit të tretë është një enigmë që as ai nuk e ka shumë të qartë.
Fushata tani praktikisht ka nisur dhe kreu i qeverisë duket se ende nuk e ka gjetur, që pas 8 vitesh në qeveri, çfarë do t’u japë shqiptarëve në këmbim të votës? Ende mungon oferta konkrete, mungon programi, mungon premtimi i madh, mungon projekti joshës apo ideja e re, e cila të ketë në thelb përgjigjen e pyetjes se çfarë do të bëjë më shumë kryesocialisti përgjatë një mandati të tretë, që nuk pati kohë ta bentë në 8 vjet dhe për të treguar që cikli i tij politik nuk është mbyllur? Dhe deri kur ta gjejë këtë, fjalitë do të vazhdojnë të komplikohen për të fshehur faktin se ofertat konkrete, programet, premtimet dhe idetë kanë qenë thjesht fasada dhe si të gjitha fasadat vjen një ditë dhe u del boja.