Pyetja e Edi Ramës që provokoi një seri sulmesh nga ana e Ilir Metës "Çfarë do më shumë Ilir Meta? A do të bjerë dëshmor?" është sqaruar sot nga kryeministri gjatë intervistës në Open.
"Mos ngatërroni shpatën e gjuhës me plehun e gojës. Unë s'kam dalë ndonjëherë me një mënyrë të foluri të tillë. Nëse më nxirrni ndonjë moment kur flas ashtu, do them se kam lajthitur. Kur them për Ilir Metën, "a do të bjeri dëshmor" e them se nuk di ta shpjegoj ndryshe dhënien e dekoratave për njerëz që kanë rënë dëshmorë para se Ilir Meta të bëhej president. Ca të them unë që ai njeri del i dehur, jo si i dehur, por i dehur realisht. Si i përgjigjesh një të dehuri?" tha Rama.
"Unë jam nga Skrapari. E di që je nga Skrapari. Ti je presidenti i gjithë Shqipërisë, nuk je presidenti i Skraparit" ishte përgjigjia e kryeministrit Rama për shprehjet e presidentit Ilir Meta, që duke marrë shkas nga pyetja e Ramës "a do të bjerë dëshmor?" lëshoi një sërë epitetesh duke e quajtur kryeministrin "qen bir qeni" dhe duke thënë se me Edi Ramën "mbaroj punë për dy minuta".