Policia e Kosovës e ka arrestuar Ikballe Berisha – Huduti që ditët e fundit është bërë çështje në mediat e Kosovës pasi që doli publikisht kundër vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimani. Ajo kritikoi liderët e Kosovës që përkrahën sulmin e SHBA-së.
“Më datë 07.01.2020, Drejtoria Kundër Terrorizmit ne Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me PSRK-në dhe në bazë të urdhëresës nga organet kompetente te drejtësisë ka kryer bastisje ne lokacionin e të dyshuarës.
E dyshuara është sjellë për intervistim në Polici dhe me urdhër te prokurorit nga Prokuroria Speciale është dërguar në mbajtje për 48 (dyzet e tetë) orë, deri në vendim tjetër nga Gjykata kompetente”, - kanë deklaruar për T7 nga policia e Kosovës.
E arrestuara është themeluese e një fondacioni fetar islamik. Ajo ishte shprehur kundër SHBA-ve dhe Izraelit duke thënë se “gjenerali i vrarë iranian nuk do të vdesë kurrë”.
“Njerezit si ti nuk vdesin, por te vdekurit qe ecin mbi toke e qe mbajne gjak kriminile ata jane te vdekur por vetem frymojne per tu turperuar vet dhe kombin e vet kriminel”, shkroi Huduti-Berisha duke shtuar se hakmarrja ndaj kësaj vrasjeje është obligim.
“Zoti i dhasht durimin ngase te mbysesh zotin e shtepise i ke mbyt tere antaret e shtepise, e pastaj hakmarrja eshte obligim por nuk ka kufi”, - kishte deklaruar ajo.