Pavarësisht se Bundestagu gjerman kushtëzoi përmes 9 pikave dhënien e pëlqimit për çeljen e negociatave të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kryeministri Edi Rama, pasi regoi me një falenderim patetik ndaj kancelares Angela Merkel, vijon të përsërisë një refren të vjetër si shfajësim ndaj dështimeve të qeverisjes që e kanë lënë Shqipërinë në “paradhomën” e familjes së madhe evropiane.
Në një dalje për mediat që kishte në fokus prezantimin e paketës së vendimeve për të prekurit nga tërmetet e fuqimshme që tronditën vendin rreth dy javë më parë, në përgjigje të interesit të gazetarëve, Rama ka komentuar mbi mundësinë e nisjes së bisedimeve me Brukselin zyrtar, duke u shprehur se negociatat tanimë nuk varen më nga Shqipëria, “por nga të tjera arsye jashtë nesh”.
“Negociatat nuk do lodhem së përsëritur po është mirë që edhe ju mos keni ngurrim ta thoni: Nuk varet nga ne, varet nga të tjera arsye jashtë nesh. Dhe jam shumë skrupuloz, deri sa kemi kaluar edhe Bundestagun s’ka më asgjë që lidhet me ne. Reformën e BE dhe vizionin e kësaj reforme për ndryshimin rrënjësor të BE që ka Presidenti i Francës s’e ndikon as Gjykata Kushtetuese në Shqipëri e as reforma zgjedhore, nuk kanë lidhje.”- ka thënë Rama.
Më tej, kreu i qeverisë është përpjekur të relativizojë peshën vendimtare të 9 kushteve të vendosura nga Bundestag, duke thënë se edhe pas hapjes së negociatave, kur do të vijohet me artikujt e njëpasnjëshëm të “acquis communitaire”, të njohur si “kushtetuta” e BE-së, do të na duhet të plotësojmë një sërë kriteresh të tjera. “Duhet të mësohemi me faktin që ky është një proces me kushte i gjithi, unë qesh kur i dëgjoj jo 2 jo 9. dy kushtet janë të rëndësishme pasi na cojnë në tryezë të konferencës ndërqeveritare, pastaj të tjerat, cdo hap, cdo kapitull ka një kusht, për pyjet për peshqit për ajrin për detin ” u shpreh kryeministri.
Javën e shkuar, legjislativi i Gjermanisë, votoi për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut, pa asnjë kusht, ndërsa për Shqipërinë vendosi plot 9 kushte, që variojnë nga realizimi i Reformës Zgjedhore në mënyrë gjithëpërfshirëse, e deri tek vënia përpara drejtësisë e zyrtarëve të përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve. ©Lapsi.al