Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë të nisë hetimet në lidhje me pagesën e 80 mijë dollarëve për foton e kryeministrit Edi Rama për foton me presidentin e SHBA-ve, Barack Obama në vitin 2012.
Kërkesa e PD-së vjen pas vendimit të gjykatës amerikane për të dënuar me burg William Argeros, pasi sipas drejtësisë së atjeshme, 61-vjeçari ndërhyri që të paguheshin këto para në kundërshtim me ligjin e SHBA-ve, që u ndalon shtetasve të huaj të japin kontribute për kandidatët federalë. Avokati i Argeros, John Azzarello tha se klienti i tij kishte vepruar në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me zotin Obama.
"Prokuroria shqiptare, bazuar në këtë rrethanë të re, të bërë publike nga ‘Zëri i Amerikës’, ka detyrimin që të nisë menjëherë procedimin penal, për t’i dhënë përgjigje pyetjeve për burimin e financimit prej 80 mijë usd që Edi Rama ka paguar dhe nuk i ka deklaruar”, deklaron PD-ja.
Avokati Azzarello shtoi se kandidati ishte pikërisht Edi Rama. Ndërkohë, kur akuzat u publikuan në vitin 2016, zyra e shtypit e kreut të qeverisë mohoi mohoi të kishte qenë burim i kontributeve. Zyra e prokurorit amerikan pretendonte se zoti Argeros organizoi kontributin përmes një banori nga New Jersey, Bilal Shehu, i cili u dënua me kusht në vitin 2017.
Fotoja Rama-Obama, që u publikua në vitin 2012, u cilësua asokohe si një skandal nga demokratët. PD-ja e akuzoi më pas Ramën kryeministër se kishte paguar 80 mijë dollarë për këtë foto në formë kontributi për zgjedhjet në SHBA, duke rënë ndesh me ligjin.