Qeveria ka miratuar një fond shtesë për Ministrinë e Brendshme, i parashikuar për t’iu kushtuar akomodimit dhe funksionimit të Strukturës së Posaçme të Antikorrupsionit dhe të luftës kundër krimit të organizuar (SPAK).
Fondi shtesë arrin shumën e 100 milionë lekëve të reja dhe është miratuar me propozimin e ministres së Financave dhe të Ekonomisë, Anila Denaj.
V E N D I MI:
PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2019, MIRATUAR PËR MINISTRINË E BRENDSHME, PËR AKOMODIMIN DHE FUNKSIONIMIN E STRUKTURËS SË POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, dhe të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, në programin buxhetor “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, në zërin “shpenzime kapitale”, i shtohet fondi prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, për përshtatjen e mjediseve të punës për Prokurorinë e Posaçme të Luftës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit si dhe për sigurimin e mjeteve e të pajisjeve të nevojshme për funksionimin e tyre.
Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, për vitin 2019.
Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Megjithatë, në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, në mënyrë të veçantë të SPAK-ut, që do të merret me hetimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar, merr një relevancë të veçantë doemos edhe paga e prokurorëve, që do të jenë pjesë e kësaj njësie.
Në një intervistë dhënë në muajin korrik për seksionin në shqip të prestigjiozes gjermane “Deutsche Welle”, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Gent Ibrahimi, ka bërë me dije se paga për një prokuror të SPAK-ut do të variojë nga 1500 -2500 euro, me qëllim parandalimin e korruptimit të tyre.
“Çdo institucion ka rrezikun e kalbëzimit nga brenda. Edhe prokurorët e SPAK mund të bëhen viktima të korrupsionit. Por ata do të jenë nën kontroll të vazhdueshëm nga brenda institucionit. Nga ana tjetër për ta minimizuar mundësinë e rënies pre të korrupsionit pagat e tyre u japin mundësi të jetojnë me dinjitet pa u korruptuar. Prokurori i SPAK e ka pagën mujore 1500 euro që ditën e parë të punës. KLP i ka propozuar qeverisë t’i rrisë deri në 2.500 euro“, ka thënë Ibrahimi për DW.
Mirëpo, nëse i vendosim në një rrafsh krahasimor të ardhurat mujore të të besuarëve të drejtësisë me pagat e subjekteve të tyre të hetimit, politikanët e korruptuar që do të shpihen prapa hekurave, raporti është dukshëm i zhdrejtë. Fjala vjen, paga e tyre është më e ulët se ajo e kryeministrit Edi Rama dhe pothuaj e barabartë me numrin 2 të qeverisë, Erion Braçe (shiko tabelën më poshtë). Në këto kushte, premisa e korruptimit të kësaj hallke premtuese të "drejtësisë së re" është në një nivel të besueshëm. ©Lapsi.al
